AlbanianSport.com 25/02/2022 19:25
ASNN – Ish-futbollisti: “Event i madh, shumë të lumtur për organizimin në Shqipëri”. Shqipëria e futbollit ishte sërish ditën e sotme në qendër në qendër të skenës së madhe evropiane futbollistike. Në Nion të Zvicrës, në selinë qendrore të UEFA-s është hedhur shorti i Ligës së Konferencës, ku janë mësuar tashmë çiftet e turit të 16-shes, teksa po përcaktohet kështu edhe rruga që do të ndjekin ekipet pjesëmarrëse për të arritur në finalen e madhe të kësaj gare, që do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, më 25 maj.
I pranishëm në hedhjen e shortit këtë të premte ishte ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili i përzgjedhur si ambasador i finales, së bashku me zyrtarët e UEFA-s ka tërhequr goglat që kanë përcaktuar edhe çiftet e kësaj faze, ku marrin pjesë skuadra të mëdha nga kampionatet elitë të Evropës, si Roma, Leister Siti, Olimpik i Marsejës, Fejënordit, PSV-ja e End’hovenit, e të tjera. Duke folur gjatë ceremonisë, para hedhjes së shortit, Lala u shpreh i lumtur që një finale evropiane do të luhet në Tiranë.
Ai e ka e konsideruar këtë si një nga eventet më të madha të organizuara në Shqipëri, ndërsa foli edhe për rëndësinë e kësaj veprimtarie të re dhe ekipet që i kanë bërë më shumë përshtypje. “Është evenimenti më i madh i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur e mezi po presim që të zhvillohet ky event në Tiranë. Kjo veprimtari është e rëndësishme për klubet e tjera që të kenë një shans për të fituar Ligën e Konferencës dhe mendoj se është një shans i drejtë për klubet e vogla.
Më tej ai ka folur edhe për ekipet që kanë spikatur sipas tij, duke thënë: “Mendoj se kemi ekipe të mëdha. Roma, Leister Siti, Olimpiku i Marsejës. Ndoshta njëra prej tyre do të shkojë në Tiranë. Kështu shpresoj.” Goglat kanë përcaktuar edhe çiftet e skuadrave që do të përballen me njëra-tjetrën, për të siguruar më tej një biletë për në çerekfinale dhe midis 8 çifteve të turit të 16-shes spikat padyshim ai midis Olimpikut të Marsejës dhe Bazelit, ai midis Leister Sitit dhe Renës dhe ai midis Viteses së Arnhemit dhe Romës.