AlbanianSport.com 25/02/2022 18:40
ASNN – Nga dy gola për një pikë, mbyllet 2-2 në Korçë, një rezultat që nuk i shërben asnjërës skuadër. Skënderbeu ka pritur në Korçë të premten Skënderbeun në një takim që paraqitur shansin e fundit për të dyja skuadrat, vendasit për t’iu shkëputur fundit të renditjes dhe miqtë për të mbetur në betejën gjithnjë e më të vështirë me rivalet e kreut. Takimi ka nisur më mirë për korçarët, që rrezikojnë dhe mbizotërojnë në 10 minutat e para.
Por paskëtaj nis Vllaznia të reagojë dhe në 3 raste, në minutën e 10-të, të 15-të dhe të atë 21-të, gardianit të portës korçare, Rexhepit, i duhet të reagojë shpejt për të shmangur rrezikun e sulmeve të skuadrës mike. Dhe përkundër rrjedhës së lojës, është Skënderbeu që e gjen golin, teksa pas një aksioni të rrjedhshëm të korçarëve, harkimi nga e majta i Zguros gjen shkodranin Nikajn i cili gjuan me kokë dhe mposht Zogoviçin.
Goli duket se i ka shtangur shkodranët, që janë të paqartë në veprimet e tyre dhe e kanë të vështirë të rrezikojnë portën e vendasve. Dhe Zguro harkon nga e majta përsëri në qendër në minutën e dhe detyron Zogoviç të grushtojë topin, që shkon tek Dumfur, i cili pas një kombinimi, gjuan drejt portës, duke detyruar gardianin e shkodranëve të grushtojë jashtë për një këndore. Vetëm 3 minuta më pas, Mensah gabon në mënyrë të pabesueshme, teksa del i vetëm para Zogoviçit por nuk e mposht dot.
Dhe pasi kanë shpëtuar nga pësimi i golit të dytë, shkodranët reagojnë dhe, pas një goditje nga këndi nga e djathta, goditja e Adilit, ndalet nga Bajrami në minutën e 40-të. Menjëherë më pas Vllaznia gjen golin, kur Shehi nuk arrin të ndalë Bulatoviçin, i cili pason në qendër, aty ku Rexhepi devijon, por Da Silva reagon shpejt dhe përshëndet rrjetën. Minutat e fundit të pjesës së parë kanë qenë të tensionuar, me gjyqtarin anësor që goditet nga sendet e forta të hedhura nga tifozët, për të dytën ndeshje radhazi në Korçë.
Ndërsa në minutën e dytë dhe të 3-të shtesë nga 4 të tilla, Skënderbeu rrezikon të gjejë golin në dy rastet të njëpasnjëshme, pasi Mensah ndalet nga Zogoviçi, ndërsa Zhan Viktor nuk e gjen dot katërkëndorin e portës. Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nisin më mirë për shkodranët, që janë menjëherë të rrezikshëm me Latifin, por goditja e tij ndalet nga Rexhepi në pozicion. Në minutën e 48-të, shënuesi i golit të parë, Da Silva, mbetet i dëmtuar pas një përplasje dhe detyrohet t’i lërë vendin në fushë Aralicës në radhët e shkodranëve.
Dhe Vllaznia shpërblehet për këmbënguljen në minutën e 52-të, teksa Mustedanagiç përfiton nga një shpërqendrim i mbrojtjes korçare dhe mposht Rexhepin. 5 minuta më pas, shkodranët i afrohen golit të tretë, por goditja fluturimthi e Krujës drejt portës devijohet nga Rexhipi, që e mban të paprekur rrjetën. 20 minutat në vijim do të karakterizohen nga ndërrimet dhe nervozizmi, por edhe përpjekjet e Vllaznisë për të gjetur golin e sigurisë.
Dhe 13 minuta para fundit, gjyqtari Alla, pas konsultimit me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), jep 11-metërsh për Skënderbeun dhe ndëshkon portierin e Vllaznisë, Zogoviç me karton të kuq. Ky i fundit nuk u beson syve dhe duhet ndërhyrja e fortë fizike e shokëve dhe stafit teknik të skuadrës për ta bërë të dalë nga loja. E pas plot 6 minutash vonesë, Zguro nuk gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe barazon shifrat.
Përtej 7 minutave shtesë dhe përpjekjeve të shkodranëve për të gjetur golin e fitores, mbyllet në barazim 2-2 përballja midis Skënderbeut dhe Vllaznisë, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë që nuk u shërben edhe aq.