AlbanianSport.com 24/02/2022 17:10
ASNN – Lufta në Ukrainë e ka detyruar stafin drejtues të Shahtjorit të Donjeckut dhe një pjesë të lojtarëve, të mbyllen në një hotel në Kiev. Pezullimi i kampionatit ë futbollit në Ukrainë, e ka bërë të paqartë situatën e sigurisë për trajnerin De Zerbi, stafin e tij dhe gjithë skuadrën.
Kështu, trajneri i Shahtjorit të Donjeckut, Roberto De Zerbi, së bashku me stafin e tij, të përbërë nga 8 italianë dhe pjesën më të madhe të skuadrës, janë bllokuar në një hotel në Kiev pas pushtimit rus të Ukrainës. Mëngjesin e së enjtes, trupat ruse kanë nisur bombardimin në disa qytete, përfshirë edhe kryeqytetin ukrainas.
Duke ia bërë kështu të pamundur udhëtimin drejt Italisë, anëtarëve të skuadrës së Shahtjorit, pasi aeroporti është mbyllur. Skuadra e njohur ishte kthyer nga grumbullimi në Turqi, ku kishte vazhduar përgatitjet gjatë pushimeve dimërore të kampionatit ukrainas.
Dhe të shtunën pritej që skuadra të udhëtonte drejt Kharkiv ku do të luante me Metalist, një qytet në kufi me Rusinë. Tani që ka ardhur edhe njoftimi për pezullimin e kampionatit, nuk dihet ende se si do të proçedohet. Në profilin zyrtar, Shahtjori i Donjeckut ka postuar një foto me flamurin ukrainas ku shkruhej: “Do të qëndrojmë në këmbë”.