AlbanianSport.com 23/02/2022 16:25
ASNN – Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka thënë se ka zgjedhur francezin Alen Zhires për shkak se është mundësia më e mirë dhe më i duhur për “Dardanët”. Ai tha se ka pasur shumë oferta prej trajnerëve tjerë por në fund vendosi për francezin. “Vendosëm për Alain Zhiresin pasi kemi pasur shumë oferta, – ka zbuluar ai. – Më shumë se 40 oferta i kishim prej trajnerëve që kanë konkurruar për këtë post. Por, në fund kemi zgjedhur opsionin më të mirë dhe më të përshtatshëm për Kosovën.”
“Në fund, i kishim 5 kandidatë por nuk po i publikoj emrat, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin e Kosovës. – Janë përfolur të gjithë, pasi kanë qenë emra të mëdhenj futbolli. Dhe, në fund gjuhën e përbashkët me Zhiresin dhe tani ai është këtu me ne, i gatshëm për ta nisur punën.” Ndërkaq, në prezantimin e parë si trajner i Kosovës, Alen Zhires ka deklaruar se ndihet i nderuar që do të jetë në krye të “Dardanëve”. Ai ka thënë se i ka parasysh pritshmëritë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe ka shtuar se nuk ka hezituar fare ta pranojë ofertën.
Zhires ka thënë se lidhjet e tij me Kosovën datojnë para shumë vjetësh. “Sot, po zyrtarizohet detyra ime si trajner i Kosovës dhe jam i lumtur e shumë i nderuar, – ka pohuar ai. – Unë jetojë në Tuluzë dhe atje kam miq kosovarë, ku e njoh edhe Presidentin Ademi. Para disa viteve kur isha mysafir në Kosovë, ky presidenti aktual nuk ishte në atë post, por ishte i ndjeri Fadil Vokrri, për të cilin dua ta bëjë një homazh, për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur.”
“Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë, – ka vijuar 69-vjeçari. – Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe iu kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë i kam pranuar me kërkesat e Presidentit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me përfaqësuese dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij.”