AlbanianSport.com 22/02/2022 22:25
ASNN – Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka organizuar këtë të martë seminarin me gjyqtarët e Kategorisë Superiore, ku merrnin pjesë edhe disa gjyqtare femra si dhe 7 gjyqtarët e rinj, pjesë e projektit “Talent & Mentor”. Të pranishëm ishin edhe Kryetari i BASHF-së, Tahir Kastrati, dhe specialistë të gjykimit, si Bujar Pregja, etj.
Në këtë takim është analizuar me detaje paraqitja e gjyqtarëve në 5 javët e fundit të kampionatit, duke u ndalur konkretisht në raste të kontestuara gjatë ndeshjeve kur kemi pasur të bëjmë me 11-metërsh, kartonë të kuq apo ndërhyrje të parregullta. Përmes ilustrimit me pamje video, Sektori i Gjykimit u ka diskutuar me gjyqtarët për vendimet e marra në këto raste konkrete dhe çfarë parashikon rregullorja për të pasur vendime sa më të drejta në fushë dhe korrekte.
Një pjesë e mirë e mbledhjes i është kushtuar edhe vendimeve të marrë me ndihmën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), si është implementuar teknologjia dhe sa ka ndikuar në uljen e rasteve të diskutueshme gjatë këtij sezoni. Po ashtu në këtë seminar është diskutuar edhe paraqitja e gjyqtarëve të rinj, të cilët janë pjesë e projektit “Talent & Mentor” që organizohet nga Sektori i Gjykimit në FSHF.
Një projekt i rëndësishëm konsiston në rritjen e cilësisë së gjyqtarëve-talentë, krijimin e personalitetit të gjyqtarit, promovimin e gjyqtarit në Kategorinë Superiore, si edhe përmirësimin e paraqitjes së gjyqtarëve. Në konkluzion, Sektori i Gjykimit është shprehur i kënaqur me paraqitjen e gjyqtarëve, teksa vlerëson se duhet punuar edhe më shumë për të minimizuar vendimet e diskutueshme në fushën e lojës gjatë ndeshjeve.