AlbanianSport.com 22/02/2022 18:40
ASNN – Edicioni i dytë i turneuit “FSHF Cup”, një nga turnetë më të rinj e të suksesshëm të futbollit amator në formatin 9 kundër 9, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka kurorëzuar edhe fituesin në finalen e madhe. Prestige MFC-FC Dussel u përballën në sfidën e zhvilluar në Kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet, duke ofruar një ndeshje mjaft emocionuese e që u vendos nga një gol i vetëm.
Një gol i realizuar nga Limani në minutën e 57-të të takimit i dha fitoren minimale 1-0 Prestige MFC-së, që arriti të bënte të vetin trofeun pas një sfide mjaft të barazpeshuar. Në përfundim të ndeshjes trofeu i “FSHF Cup” iu dorëzua ekipit Prestige MFC nga Drejtorit i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri. Kujtojmë që edicioni i dytë i turneut FSHF Cup nisi më 2 nëntor 2021 për t’u përmbyllur mbrëmjen e së hënës.
Ai ka tërhequr gjithnjë e më shumë interesin e të apasionuarve pas futbollit dhe ekipeve të reja, që bëhen pjesë e këtij formati të futbollit amator. Ndeshjet e këtij turneu janë luajtur paralelisht me ato të kampionatit “FSHF Sunday League Albania”. Edicioni i parë u fitua nga Sind Al, që mundi në finalen e madhe Endju Dekor me rezultatin 3-0. FSHF Cup (ku skuadrat luajnë me nga 9 lojtarë secila) është një risi absolute për futbollin amator pas Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5.
Një turne ka nisur sezonin dhe ka gjetur një përhapje të menjëhershme në të gjithë vendin brenda një kohe të shkurtër.
Finalja e FSHF Cup
Prestige MFC – FC Dussel 1-0
Shënues: Limani 57′