AlbanianSport.com 20/02/2022 18:30
ASNN – Java e 12-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave ka ulur siparin këtë të diel, me 3 ndeshje të zhvilluara sot, teksa dy sfidat e tjera të javës u luajtën të shtunën. Ndeshja më e spikatur e javës, Partizani-Apolonia, e zhvilluar të dielën, përfundoi në favor të bardhejeshileve me shifrat 2-0. Një sfidë jo e lehtë për të dyja ekipet, që prodhuan raste, por goli që zhbllokoi lojën erdhi vetëm në minutën e 37-të. Hamonikaj kaloi në epërsi Apoloninë, teksa pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në pjesën e dytë, Gashi realizoi edhe golin e dytë, duke dyfishuar rezultatin për fieraket, me Apoloninë që merr një 3-pikësh me vlerë në këtë vizitë të vështirë. Ndërkaq, në këtë javë të 12-të u zhvilluan edhe dy derbi, në Tiranë e Shkodër. Vllaznia mundi Murlanin me shifrat 6-0, në një ndeshje të mbizotëruar nga vajzat kuqeblu. Dygolëshat e Doçit e Berishës, si dhe golat e Gjinit e Lufos i dhanë fitoren kampioneve në fuqi të vendit, që janë në krye të tabelës së renditjes.
Në derbin e kryeqytetit, Tirana fitoi me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Kinostudios, me skuadrën bardheblu që ishin dukshëm më superiore në këtë ndeshje. Tre gola në pjesën e parë të lojës, që mbajnë firmat e Goros, Vishkullit dhe Metallës, ndërsa në pjesën e dytë Goro realizon sërish dy gola të tjerë, ndërsa shënon edhe Kodra. Golin e vetëm për Kinostudion e realizoi kapitenia Cyme Lulaj, nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Me po të njëjtin rezultat përfundoi edhe sfida tjetër e së shtunës, Skënderbeu-Atletik Club. Shkodranet triumfuan me shifrat e thella në vizitën e Korçës. Një ndeshje që pa fillimisht juglindoret në epërsi, me Kejsi Potomin që realizoi golin e parë dhe të vetëm për Skënderbeun. Armoku mendoi për barazimin e shifrave, teksa realizoi dy minuta pasi korçaret kishin kaluar në epërsi. Ndërkaq, Iris Armoku realizoi edhe 3 gola të tjerë, duke e dërguar në 4 numrin e golave të saj në këtë sfidë, ndërsa shënuan edhe Markaj e Krasniqi.
Në ndeshjen tjetër të javës, Teuta triumfoi ndaj Lushnjes me rezultatin 3-0. Vendaset ishin favorite në letër për ta fituar këtë sfidë, duke e dëshmuar edhe në fushë. Bregdetaret kaluan fillimisht në epërsi me Pucën, ndërsa më vonë realizoi edhe Disha, e cila dyfishoi shifrat. Pak minuta para fundit të ndeshjes, Disha realizoi edhe golin e dytë personal e të tretin për skuadrën e Teutës, që del nga kjo ndeshje me 3 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Futbolli – Femra
Java e 12-të:
Skënderbeu – Atletik Club 1-6
Tirana – Kinostudio 6-1
Partizani – Apolonia 0-2
K.F. Murlani – Vllaznia 0-6
Teuta – Lushnja 3-0