AlbanianSport.com 20/02/2022 17:35
ASNN – Krutanët u shkaktojnë bardhebluve humbjen e 3-të këtë sezon. Pas dy ndeshjeve të para, të luajtura të shtunën, java e 21-të e Kategorisë Superiore ka luajtur të dielën pasdreke dy takimet e tjera dhe në sfidën që ka vënë përballë dy skajet e renditjes, Kastrioti i vendit të fundit ka pritur Tiranën kryesuese. Ndeshja ka nisur kryesisht e baraspeshuar, me një lojë nën nivelin mesatar, por gjithçka do të ndryshojë në minutën e 14-të, kur bardheblutë nuk arrijnë të mbrohen siç duhet pas një goditjeje të lirë dhe Kaina Nunjesh e ka shtyrë topin me kokë në rrjetë, duke i kaluar krutanët në epërsi.
Kryeqytetasit janë shtangur nga goli dhe nuk arrijnë ta rrezikojnë portën kundërshtare, ndërsa është Kastrioti në krahun tjetër që rrezikon të gjejë golin e dytë, por përpjekja e Zogajt në minutën e 28-të, devijohet jashtë për një goditje këndi. 6 minuta më pas, Bedri Greca do të ketë mundësi të godasë portën e Bekajt, por godet keq dhe shpërdoron një tjetër mundësi të krutanëve për të shënuar. Sidoqoftë, 10 minuta e mbetura dhe ato dy shtesë nuk kanë sjellë raste për t’u shënuar dhe Kastrioti e mbyll pjesën e parë në epërsi minimale.
Pjesa e dytë sheh Tiranën më kërkuese, teksa trajneri Shehi tërheq Behiratçen për të futur në fushën kapitenin Hoxhallari, teksa janë bardheblutë që krijojnë një vëllim më të madh loje. Por sërish është Kastrioti më i rrezikshëm para portës kundërshtare dhe janë reflekset e Bekajt që u mohojnë krutanëve golin e dytë në minutën e 50-të. Pas një ore lojë, ka edhe nervozizëm, teksa ndëshkohet me karton të verdhë Sokol Neziri dhe trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, por edhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Kristi Vangjeli.
Dhe teksa Tirana ka shpërdorur një rast të volitshëm në minutën e 76-të, ajo vijon të ndëshkohet 6 minuta më pas, sepse Kastrioti gjen edhe golin e dytë. Kaina shfrytëzon pasimin e Okebukut dhe hapësirat në mbrojtjen bardheblu dhe nuk e ka të vështirë të mposhtë Bekajn. Megjithatë, Tirana nuk do të dorëzohet dhe do të shkurtojë shifrat dy minuta para fundit të kohës së rregullt, kur debutuesi 17-vjeçar Nikqi, përfiton nga një goditje e lirë dhe përshëndet rrjetën. Përtej minutave të shumta shtesë, që kanë ardhur pas goditjes së Gjumsit me sende të forta të hedhura nga tribunat, Kastrioti e mbron fitoren dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë.