AlbanianSport.com 20/02/2022 14:50
ASNN – Stadiumi i Klubit të Futbollit Novi Pazar në Serbi do të quhet “CaizCoin Arena”, duke u bërë kështu një nga stadiumet e pakta të futbollit që mban emrin e një kriptovalute. Klubi njoftoi në fillim të shkurtit se ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të sponsorizimit deri më tani, dhe atë me kompaninë CaizCoin të Zvicrës.
Kompania tregton kriptovaluta me të njëjtin emër, duke u bazuar në parimet islamike të funksionimit të bankave. Sekretari i përgjithshëm i klubit futbollistik, Fikret Megjedoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi me këtë kompani zvicerane ka ardhur pasi është kontaktuar nga drejtuesit e klubit.
Klubi i tij, i themeluar në vitin 1928, është i vetmi nga ajo pjesë e Serbisë që garon në nivelin më të lartë të kampionatit të futbollit në Serbi, në Superligë. Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, CaizCoin ka shpjeguar se është një kompani e re që prodhon kriptovalutën e saj.
Kompania ka thënë se arsyeja e investimit në klubin e Novi Pazarit është fakti se shumica e popullsisë që jeton në këtë qytet është myslimane dhe se klubi mban vende të kënaqshme në tabelën e renditjes.