AlbanianSport.com 20/02/2022 11:10
ASNN – Mundet 1-3 në fushë të huaj, por parizienët e kanë me gjykimin. Pavarsisht se në fushë nga minuta e parë ishin Kilian Mbapeja, Lionel Mesi dhe Nejmari, Paris Sen Zhërmeni nuk ia doli të fitonte në fushë të huaj përballë Nantës, duke u mposhtur me rezultati 3-1, në takimin e vlefshëm për javën e 25-të të Ligës 1 të Kampionatit Francez të Futbollit. Vendasit shpërthyen në pjesën e parë duke shënuar të 3 golat. Kolo Muani, në minutën e 4-t, Merlin 12 minuta më pas dhe Blas nga pika e bardhë e 11-metërshit në fund i siguruan një epërsinë bindëse Nantës që në pjesën e pjesës së parë.
Paris SG-ja e nisi furishëm 45-minutëshin e dytë, duke shënuar menjëherë me Nejmarin, i cili vijoi të humbiste edhe një 11-metërsh në minutën e 59-të, pasi bëri një goditje tejet të dobët. Në këtë ndeshje u dhanë edhe 8 kartona të verdhë, ku 6 shkuar për lojtarët e Paris SG-së. Dhe kjo i ka bërë lojtarët e gjigandes franceze që të shpërthejnë pas ndeshjes kundër gjyqtarit të ndeshjes, Mikael Lesazh. “Gjyqtari duhet t’i kishte dhënën Denis Apias kartonin e dytë të verdhë për ndërhyrjen e parregullt që bëri në dëm të Mbapesë”, deklaroi mesfushori italian i parizienëve, Marko Verrati, duke folur pas ndeshjes.
“Si ka mundësi që nuk i dha të verdhë, – vijoi futbollisti i Paris SG-së. – Ky gjyqtar na e qelbi ndeshjen.” Apias iu dha fillimisht një karton i kuq për një ndërhyrje ndaj Kilian Mbapesë në kufijtë e zonës në fund të pjesës së parë, por, pas konsultimit me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kartoni u shndërrua në të verdhë. Kjo ishte një nga 16 ndërhyrjet e parregullta të shkaktuara nga Nanta në një ndeshje të luftuar, përfshi edhe një tjetër të fortë të Apias në dëm të Mbapesë, por që mbeti pa ndëshkuar. Ishte kjo që e ka xhindosur Verratin, por edhe drejtorin e Paris SG-së, Leonardo, i cili ishte dukshëm i pakënaqur nga niveli i gjykimit.
“Gjyqtari duhet ta kishte kontrolluar më mirë ndeshjen, sepse, me ndërhyrjet e parregullta që u shkaktuan, rrezikojmë të na mungojnë futbollistët për afro 3 muaj”, – tha braziliani, duke vijuar: “Pastaj kishim një minutë shtesë në pjesën e parë dhe 11-metërshi për vendasit u dha në minutën e 49-të. Nuk dua të justifikohem sepse e merituam humbjen, por ka edhe një dëshirë për të fishkëllyer gjithmonë kundër nesh”, – përfundoi Leonardo. Përtej humbjes, Paris SG-ja vazhdon të jetë bindshëm në vendin e parë me 59 pikë, e shkëputur ndjeshëm nga ndjekëset, ndërsa Nanta është e 5-ta, me 38 pikë.