AlbanianSport.com 18/02/2022 15:55
ASNN – Do të quhet “W13”, konfirmohen edhe pilotët Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll. Kampionia në fuqi e botës për konstruktorët, “Mercedes”-i, ka prezantuar makinën e re, të mbiquajtur “W13”, të cilën do ta drejtojnë dy pilotët e saj, Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll, në këtë sezon të risive të shumta teknologjike. Është zbuluar kështu, më në fund, në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe enigma e shumëpritur.
Kampionia në fuqi e botës për konstruktorët, “Mercedes”-i, ka prezantuar makinën e re, të mbiquajtur “W13”, të cilën do ta drejtojnë dy pilotët e saj, Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll në këtë sezon të risive të shumta teknologjike. “Mercedes”-i e ka fituar betejën e skuadrave për 8 sezone radhazi,por vitin e shkuar e humbi betejën e pilotëve, teksa Maks Verstapeni ia vodhi fitoren në xhiron e fundit Hemiltonit në garën e fundit të sezonit të shkuar.
Piloti i ri, Rasëll, është promovuar të drejtojë njërën nga makinat e “Mercedes”-it, duke zëvendësuar Valteri Botasin pas 3 sezonesh mbresëlënëse tek “Uilliams”-i, duke kulmuar vitin e shkuar me podiumin e tij të parë në Formula 1 në Belgjikë sezonin e shkuar. Duke folur gjatë prezantimit, të dy pilotët kanë shprehur ngazëllimin e tyre dhe padurimin për të provuar makinën e re, e cila ka zbritur në pistë pas ceremonisë së prezantimit të premten në pistën e Silverstounit.
Si Rasëlli, ashtu edhe Hemiltoni do ta pilotojnë makinën për vetëm 100 km, ndërsa të dy e kanë pohuar se ende nuk e kanë idenë sesi do të jetë të drejtosh këtë makinë të re. Makina më pas do të transportohet në Barcelonë, për 3 ditët e testeve parasezonale javën që vjen, duke vijuar për një tjetër fazë testimi zyrtar parasezonal në Bahrein, atje ku do të zhvillohet edhe gara e re e sezonit të ardhshëm të Formulës 1.