AlbanianSport.com 18/02/2022 14:05
ASNN – Luhen takimet e para të gjysmëfinaleve në Shqipëri dhe Kosovë. Pasi ka mbyllur ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për femra dhe meshkuj, duke kurorëzuar Tiranën si fituese të dyfishtë, volejbolli do të rikthehet në parket këtë fundjavë në të dy anët e kufirit shqiptar, me ndeshjet e Ligës së përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, të njohur ndryshe si Liga “Gjergj Kastrioti”.
Dhe të shtunën luhen gjysmëfinalet teksa ky sezon i parë do të zhvillohet me një formulë të reduktuar dhe në të do të marrin pjesë nga dy skuadra nga Shqipëria dhe Kosova, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Kështu, për femra, Tirana do të përballet me Dritën e Gjilanit, në takimin që do të luhet të shtunën, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” të Parkut Olimpik në kryeqytet.
Ky takim do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport, duke nisur nga ora 18:00. Ndërkaq, një orë më pas, në Ferizaj, në Kosovë, skuadra vendase e Fer Volejit përballet me Skënderbeun. Ndeshjet e kthimit luhen më 26 shkurt, përkatisht në Gjilan dhe në Korçë. Ndërkaq, meshkujt e nisin të shtunën pasdreke, me duelin midis Erzenit dhe Ferizajt, takim ky që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga RTSH Sport, duke nisur nga ora 14:00.
Ndërkohë, duke nisur nga ora 17:00, në Pejë, skuadra vendase pret Tiranën. Edhe për meshkuj, ndeshjet e kthimit luhen më 26 shkurt, përkatësisht në Tiranë dhe në Ferizaj.