AlbanianSport.com 17/02/2022 08:55
ASNN – Mposht Interin me dy gola në pjesën e dytë, bavarezët barazojnë në fund përballë Salzburgut. Pasi ka luajtur të martën takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes, Liga e Kampioneve ka luajtur të mërkurën edhe takimet e para të dy çifteve të tjera. Siç dihet, kjo veprimtari prestigjioze po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë edhe përballjen më të spikatur, atë midis Interit dhe Liverpulit, që u fitua nga anglezët me shifrat 2-0.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, është rikthyer të mërkurën në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe viti 2022 ka nisur në transmetuesin publik me takimin më të spikatur të mbrëmjes, atë midis Interit dhe Liverpulit. Ndeshja që u luajt në Stadiumin “San Siro” të Milanos ka parë një lojë përgjithësisht të barabartë, me të dyja skuadrat që kanë patur periudhat e tyre të mbizotërimit në fushë.
Ndonëse Liverpuli e ka nisur më mirë, duke e synuar portën vendase në 10-minutëshin e parë, Interi ka reaguar dhe, në atë që ishte në fakt rasti më i rrezikshëm i pjesës së parë, ka goditur shtyllën horizontale të portës së anglezëve pas një çerekore lojë. Liverpuli reagon dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën, madje në zonën e italianëve, por, pa arritur dot ta gjejë golin. 10-minutëshi i fundit i pjesës së parë do të shohë sërish zikaltërit të kundërpërgjigjen.
Madje edhe ta rrezikojnë portën e miqve, por pa e gjetur dot rrjetën e kuadratit të mbrojtur nga portieri brazilian i anglezëve, Alison. Kështu, me një lojë të luftuar, por pa gola do të mbyllen 45 minutat e para. Edhe ato të dytat kanë patur të njëjtën tablo, por në nisje të çerekorës së fundit të kohës së rregullt, është Liverpuli që e gjen më në fund rrugën e rrjetës, me anë të Firminjos. Goli i ka shtangur vendasit dhe Liverpuli përfiton, duke gjetur, 8 minuta më pas, edhe të dytin, me autor Mohamed Salahun.
Liverpuli mposht kështu Interin 2-0 në ndeshjen e parë, duke marrë me vete për ndeshjen e kthimit një rezultat komod, ndërsa në takimin tjetër të mbrëmjes, Bajerni i Mynihut ka shmangur një të papritur të pakëndshme, duke siguruar, vetëm në fund, një barazim 1-1 në Austri përballë Salcburgut. Si gjithmonë, para dhe pas ndeshjes ka ardhur në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar edhe emisioni i posaçëm për Ligën e Kampioneve.