AlbanianSport.com 04/01/2022 21:40
ASNN – Trajneri i Vllaznisë rrëfehet për mediat gjermane, synon kthimin në vendlindje. Është rikthyer sërish në fokus të mediave në Gjermani ish-futbollisti i përfaqësueses, Tomas Brdariç, i cili ka spikatur tashmë si trajner i Vllaznisë së Shkodrës. Kanë qenë si Agjencia Gjermane e Lajmeve (DPA), ashtu edhe gazeta e Hamburgut, “Hamburger Morgen Post”, që i kanë kushtuar vëmendje trajnerit të klubit kuqeblu.
“Kur erdha këtu, e konsiderova si një mundësi dhe sfidë e madhe”, – ka thënë 46-vjeçari, duke vijuar: “Nëse e merr një ekip nga asgjëkund dhe e çon drejt kualifikimit për në turet eliminatore të veprimtarive evropian, kjo të bën padyshim krenar.” Më tej, Brdariç ka folur edhe për përvojën e tij shqiptare. “Kur vjen në Shqipëri, e vëren shpejt sa i bukur është vendi, – ka thënë ai. – Ne stërvitemi në një fushë në pyll dhe livadhe.”
“Shqipëria është shumë prapa kur bëhet fjalë për pjesën e terreneve stërvitore, – ka sqaruar gjermani. – Duhet kujdes që lojtarët e huaj të mos përdorin kushtet e fushës si justifikim nëse luajnë keq. Hap pas hapi kemi ndërtuar një ekip konkurrues te Vllaznia.” Nën drejtimin e tij, Vllaznia u shpall “nënkampione” sezonin e shkuar, duke e humbur titullin vetëm për shkak të golaverazhit, por vijoi të ngushëllohej duke fituar Kupën e Shqipërisë.
Dhe tashmë, synimi i Tomas Brdariçit është të drejtojë një skuadër të Bundesligës së parë ose të dytë të Gjermanisë, aty ku ai ka luajtur me sukses në radhët e Bajer Leverkusenit, Hanover 96-ës apo Volfsburgut. Megjithatë, ai ndjehet mirë në Shqipëri për momentin dhe synon suksese edhe më të mëdha me Vllazninë.