AlbanianSport.com 04/01/2022 20:10
ASNN – Bejli nuk luan por fiton miliona. Uellsiani merr 74 mijë stërlina në minutë, edhe pse ka luajtur vetëm tre ndeshje me Realin e Madridit. Gareth Bejl ka fituar 74,000 stërlina në minutë përgjatë gjithë kohës që ka luajtur me gjiganden madrilene këtë sezon. Por klubi spanjoll mezi pret që bashkëpunimi me futbollistin të përfundojë. Uellsiani është plotësisht në periferi të mendimeve dhe dëshirave të trajnerit Karlo Ançeloti, ndaj është aktivizuar në vetëm 3 ndeshje në të gjitha veprimtaritë këtë sezon, duke luajtur vetëm 193 minuta.
Bejli, i cili ka pasur një sërë problemesh me dëmtimet këtë sezon, është në vitin e fundit të kontratës së tij fitimprurëse 6-vjeçare në “Santiago Bernabeu”, nga e cila ai ka një pagë vjetore neto të raportuar prej 15 milionë stërlinash. Gazeta spanjolle “AS” ka bërë një llogari dhe nga ajo del se Bejli nuk ka luajtur për 129 ditë dhe duke ndjenjur në shtëpi merr 74,000 £ për çdo minutë që kontrata e tij me Realin vazhdon. Ajo që i bën gjërat më keq për Realin është se, përveç parave që i paguhen Bejlit, ata paguajnë të njëjtën tarifë edhe për taksat.
Futbollisti është aktualisht jashtë fushës për një problem muskulor dhe humbi humbjen e fundit me Hetafenë. Ai pritet të jetë jashtë fushës edhe në Kupën e Mbretit kundër Alkojanos. Por ka shpresë se ai do të jetë i disponueshëm për ndeshjen kundër Valencias të shtunën mbrëma. Edhe pse, siç shkruan “AS”, kur Bejli “ndien diçka të çuditshme muskulore, ai “ngre menjëherë frenat e dorës””. Sulmuesi nuk ka qenë titullar i rregullt në “Bernabeu” që nga sezoni 2018-19, duke u aktivizuar vetëm 3 herë këtë sezon.
Kjo, pasi kaloi sezonin e fundit si i huazuar te Totenhemi. Reali i Madridit nuk e ka fshehur dëshirën e tij për ta larguar urgjentisht Bejlin dhe lojtarë të tjerë të veçantë në mënyrë që të grumbullojë financa për merkaton e verës. Bejlit, Iskos dhe Marselos u mbaron kontrata në klubin spanjoll më 30 qershor të këtij viti dhe gjigandja e Primera Ligës thuhet se janë të përgatitur për t’i lejuar ata të largohen, çka do të çlirojë arkat e klubit madrilen nga një shumë prej 50 milionë stërlinash.
Largimet e tyre do të krijonin fondet e nevojshme për të marrë Kilian Mbapenë nga Paris SG-ja. 23-vjeçari fiton 300,000 stërlina në javë në “Parc des Princes”, por besohet se ai do të kërkojë më shumë se dyfishin e kësaj shifre për t’u transferuar në Madrid.