AlbanianSport.com 04/01/2022 18:40
ASNN – Lëvizje në të dy kahet tek Partizani, Teuta, Dinamo e Vllaznia, firo masive tek Egnatia. Mbyllja e gjysmës së parë të sezonit dhe ndërrimi i viteve ka sjellë një pështjellim të madh në skuadrat e Kategorisë Superiore, teksa ka nisur një trafik i rënduar i lojtarëve që largohen dhe atyre që vijnë. Përveçse ka zëvendësuar trajnerin, Partizani synon të lërë të lirë Ergys Kaçen, 28-vjeçarin që erdhi me bujë në merkaton e verës, por nuk ka mundur dot që të nxirrte në pah të gjithë potencialin dhe aftësitë e tij me “demat e kuq”, teksa në 13 ndeshje të zhvilluara në Kategorinë Superiore ai nuk ka shënuar dhe nuk ka dhuruar asnjë pasim për gol.
Tanimë po punohet që kontrata me ish-lojtarin e Kombëtares të ndërpritet me mirëkuptim, ndërsa në krahun tjetër, tek të kuqtë kryeqytetas vjen një lojtar i konfirmuar si Sherif Kallaku, i cili gjysmën e parë të sezonit e kaloi i huazuar tek Teuta e Durrësit, teksa është në pronësi të Lokomotivës së Zagrebit. Po kështu, ish-mbrojtësi Eneo Bitri, është gati që të vishet përsëri i kuq, pasi ka prishur marrëveshjen që kishte me klubin e Astanës. Sa u përket vetë durrsakëve, Pepi Gjorgiev e ka mbyllur me klubin e Teutës, teska drejtuesit dhe lojtari kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Kësisoj Gjorgiev është larguar me konsensus nga bregdetarët, ndërsa pas tij dhe Sherif Kallakut, nga Teuta largohet dhe portieri Bobi Çeleski. Portieri 24-vjeçar ka shpallur “divorcin” me kampionët aktual të Shqipërisë, ndërsa në krahun tjetër është rikthyer në radhët e bregdetarëve një njohje e vjetër si Rubin Hebaj. Shkodrani është rikthyer pas një viti në Durrës, pas përvojës që kishte me Shkëndijën e Tetovës. Duke u zhvendosur në një tjetër skuadër, mësohet se Marin Abazaj është larguar zyrtarisht nga Dinamo dhe arsyeja është minutazhi i pakët që ka pasur tek blutë kryetatas.
Në krahun tjetër, tek skuadra e trajnerit Bledi Shkëmbi ka ardhur ish-lojtari i Kombëtares, Sabien Lilaj, por edhe sulmuesi Rexhinaldo. Ky i fundit ka spikatur me skuadra të tjera në Shqipëri dhe rikthehet gjithashtu pas një aventure në Azerbajxhan. Kjo ka bërë që sektori i sulmit të mbipopullohet tek Dinamo dhe mësohet se Xhuljano Skuka është shumë pranë kalimit te skuadra tjetër e kryeqytetit, Partizani. 23-vjeçari që ka luajtur më parë me Korabin, nuk ka shfaqur të gjithë potencialin e tij tek Dinamo, teksa në 13 ndeshje aktivizim në Kategorinë Superiore këtë sezon ai ka mundur të shënojë vetëm një gol.
Merkato në dalje ka edhe Vllaznia, teksa është larguar zyrtarisht Arlind Kalaja. Këtë e ka bërë vetë publike klubi shkodran ku njofton se ky “divorc” me 26-vjeçarin është bërë me një ndërprerje me konsensus të kontratës. Ndërkaq, nuk kanë fund largimet te skuadra e Egnatias. Së fundmi, përveç Valportit, Gadit, Duriçit, Teqjes, Çyrbes tani është larguar nga klubi rrogozhinas edhe mesfushori 24-vjeçar nga Hong-Kongu, Remi Duzhardin. Në krahun tjetër, skuadrësi është bashkuar një njohje e vjetër, portieri Klevis Hasanbelli, i cili ka qenë pjesë e rrogozhinasve edhe në sezonin e kaluar dhe tani do të jetë një alternativë për Pujën në katërkëndorin e tyre.
Gjithashtu, me skuadrën është bashkuar edh mesfushori Ildian Shyti. Me pak fjalë, merkatoja dimërore e Superiores po punon “me ngarkesë të plotë”.