Përshtatur nga Koha.net 12/11/2021 21:55
ASNN – Edhe pse Bernard Shalondë është larguar, nuk janë larguar sidoqoftë telashet e mëdha për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Seria e humbjeve është thelluar në 4, ndërkohë që përkrahja për përfaqësuesen po prek pikën më të ulët. Entuziazmi në vend që ishte për përfaqësuesen e futbollit, duket shumë i largët. Gëzimi që sillnin lojtarët e Kosovës, aktualisht vetëm po kujtohet. Se te Kosova gjendja është larg prej asaj të dëshiruarës, të paktën nga tifozët e saj, dëshmoi humbja 0-2 nga Jordania, të mërkurën mbrëma në Stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova ka pasur rastet e saj, por edhe Jordania i kishte të paktën edhe dy raste në fazën përmbyllëse të ndeshjes. Dhe në fund është rezultati ai që vlen në futboll. Tani Kosova është në vazhdë prej 4 humbjesh, ndërsa të dielën e pret një ndeshje e vështirë në Athinë ndaj Greqisë. Ndryshimi i trajnerit nuk solli efektin e menjëhershëm për të cilin mund të ketë shpresuar dikush. Trajneri, që ishte në fokus të kritikave të shikuesve, e aq më shumë të analistëve vendorë të futbollit, Bernard Shalondë, u largua muajin e kaluar.
Drejtimin e përkohshëm të Kosovës e mori slloveni Primozh Gliha, dhe “dora” e tij nuk është vërejtur fare në ndeshjen me Jordaninë, që është më lart se Kosova në renditjen e FIFA-s. Ndeshja nuk është përgatitur mirë, ndër të tjera, edhe për shkak të kohës së kufizuar. Në stërvitjen e parë kishte mungesa të shumta, ndërsa ekipi i plotë e bëri vetëm një stërvitje të përbashkët, të martën. Ndërkohë, 4 prej lojtarëve që ishin në listë, nuk janë paraqitur fare. Elbasan Rashani dhe Zymer Bytyqi pësuan dëmtime në ndeshjet e fundit dhe mungesat e tilla janë të natyrshme.
Por jo të gjithë e kanë kuptuar arsyen se pse Lirim Kastrati e Bersant Celina nuk i janë përgjigjur ftesës së Glihas. Zyrtarisht u tha se Kastrati e Celina “me kërkesën e tyre për shkak të situatave përkatëse në klubet e tyre janë liruar nga detyrimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim”. Ndonëse në fund të ciklit eliminator, jo të gjithë e arsyetojnë vendimin e lojtarëve, të pranuar nga përgjegjësit, që fokusi të jetë në rregullimin e gjendjes së tyre në skuadra në vend që të grumbullohen me përfaqësuesen e Kosovës.
Edhe një pjesë e lojtarëve të tjerë nuk e ka pranuar mirë këtë, ndonëse nuk ka pasur deklarata publike. Gliha kishte arsyetuar vendimin për t’i lënë të lirë Kastratin e Celinën. Por mungesat e lojtarëve janë bërë më të ndjeshme për tifozët që kur lojtarë titullarë munguan në ndeshjen vendimtare ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të situatës me virusin korona. Lë vend për mëdyshje edhe vendimi i Glihas për të mos e grumbulluar Leart Paqaradën, thuajse të vetmin mbrojtës të majtë tipik, që paraqitet në nivel të kënaqshëm evropian.
Mbrojtës i majtë fillimisht u aktivizua Fidan Aliti, që në skuadrën e tij luan mbrojtës i qendrës. Më pas në atë krah kaloi Mërgim Vojvoda, mbrojtës i djathtë natyral. Dhe një gabim i tij solli golin e dytë. Gliha tha se ka vendosur për lojtarë që janë më shumë të përkushtuar në mbrojtje, duke shtuar se Paqarada është i prirë për të luajtur më shumë në fazën sulmuese. Dhe paraqitja në fushë dëshmoi se zgjedhjet e bëra nuk ishin më të mirat. Mbi të gjitha, ndeshja ndaj Jordanisë reflekton gjendjen e lojtarëve në skuadrat e tyre, që lë shumë për të dëshiruar.
Aktualisht konkurrencën te Kosova e bëjnë lojtarë që kanë telashe të mëdha me aktivizim në nivel skuadrash, me pak përjashtime. Ka lojtarë edhe në klube e liga të vogla që kanë telashe me aktivizim. Dhe mungesa e vazhdimësisë së ndeshjeve ka lënë gjurmë në ndeshjet e fundit të Kosovës. Kurse Gliha “fajin” ia ka lënë fatit. “Kemi krijuar shumë shanse për gol, por nuk patëm fat, – është përligjur ai. – Shpresoj që fati të na shoqërojë në ndeshjet e ardhshme. Në futboll nëse luan mirë krijon raste.”
“Duhet të flas me ekipin për përfundimin e aksioneve, duhet të shënojmë, të gjejmë zgjidhje”, – ka shtuar slloveni. Disa prej lojtarëve që vlerësohen më së shumti te Kosova, ka kohë që nuk kanë vendosur ndonjë sfidë. Dhe frustrimi, i shprehur kryesisht përmes komenteve në rrjete sociale, po rritet. Pritjet janë për ndryshime të tjera në përpjekje për të kthyer rezultatet e ciklit eliminator të Evropianit, por edhe entuziazmin rreth përfaqësueses. Edhe lojtarët presin ndryshime të tjera. Të paktën këtë e ka deklaruar Valon Berisha.
“Na duhet një trajner që ka ide, strategji”, tha Berisha pas ndeshjes me Jordaninë. Por, Kosovës i duhet po ashtu që Berisha dhe bashkëlojtarët të shfaqin dukshëm më shumë në fushë.