AlbanianSport.com 12/11/2021 21:10
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka zhvilluar mbrëmjen e së premtes ndeshjen e parë të muajit nëntor, atë ndaj Sllovenisë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të kësaj grupmoshe. Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 0-3 në vizitën sllovene.
Bushi e nisi lojën me këtë formacion: Tafas, Marku, Selmani, Pëllumbi, Mitaj, Çelhaka, Asllani, Ndrecka, Ismailgeci, Dobra dhe Muçi. Që në minutat e para të lojës, kuqezinjtë humbën mundësinë të kalonin në epërsi me Muçin, i cili nuk arriti të realizojë një 11-metërsh të fituar nga Shpresat.
Pas kësaj mundësie, sllovenët përfituan dhe arritën të kalojnë në epërsi me Bosilin në minutën e 7-të ndërsa pak më vonë, Matko shënon edhe golin e dytë. Trajneri Bushi vendosi të bë dy zëvendësime në këtë pjesë të parë, me Ismajlgecin që i lë vendin Karricës dhe Dodën, që futet në vend të Markut.
Në pjesën e dytë të lojës, kuqezinjtë kërkojnë të ngushtojnë rezultatin, me Dodën që për pak sa realizoi një gol shumë të bukur, por goditi shtyllën e portës kundërshtare. Bushi bën edhe 3 zëvendësime të tjera, me Qardakun, Çepelen dhe Rapajn që futen në fushë dhe nga loja dalin Dobra, Mitaj dhe Çelhaka.
Sllovenët shënojnë edhe golin e tretë në minutën e 75-të me Bosilin duke vulosur kështu rezultatin 0-3, me Shqipërinë që renditet kështu në vendin e tretë në kuotën e 9 pikëve. Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve do të luajë ndeshjen e radhës me Kosovën, sërish në fushë të huaj, më 16 nëntor 2021.