AlbanianSport.com 12.12.2014 16:15
ASNN – Volejbollistja shqiptare, ka marrë vlerësime maksimale nga shtypi norvegjez, për paraqitjen e saj të mërkurën në mbrëmje me skuadrën e saj norvegjeze, Stod Volejin, e cila mposhti në 3 sete sllovenet e Kalcit Kamnikut, në takimin e vlefshëm për turin e 16-shes së veprimtarisë së dytë të rrjetës kontinentale të femrave, që njihet si “Çellenxh Kap” (Challenge Cup).
Skuadra e 28-vjeçares e ka korrur këtë triumf në shtëpinë e saj, në Sallën Sportive të Stajnkerit, duke e fituar këtë sfidë brenda 90 minutash. 25-22, 31-29 dhe 25-19 kanë qenë shifrat e 3 seteve, por ajo që spikati, edhe sipas vlerësimeve të mediave norvegjeze, ishte loja e shqiptares.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja më e madhe rajonale në Trond’haim dhe një nga më të mëdhatë në Norvegji, “Tronder Avisa”, në versionin e saj të shtypur, “Arjola Prenga luajti një rol kyç, duke i mundësuar Stod Volejit të marrë një fitore mjaft të vyer në përballjen me Kalcit Kamnikun dhe të shpresojë në një aventurë të gjatë evropiane.”
Pas një seti të parë, ku Stod Voleji kryesoi vazhdimisht dhe e fitoi me 3 pikë diferencë, seti i dytë ishte një betejë e vërtetë, që nxorri në pah aftësitë udhëheqëse, por edhe grintën e Arjola Prengës, në një set që i bëri si sportistet, ashtu edhe të pranishmit e tjerë në Sallën Sportive të mbajnë frymën.
Ndonëse norvegjezet kryesuan në fillimin, sllovenet morën iniciativën për të vijuar të kryesojnë deri shifrat u barazuan në 22-22. Ajo që vijoi më pas me pikët nuk ka shumë nevojë për koment: 22-23, 23-23, 23-24, 24-24, 25-24, 25-25, 25-26, 26-26, 27-26, 27-27, 27-28, 28-28, 29-28, 29-29, 30-29 dhe, në fund, 31-29!
Edhe seti i tretë ishte i baraspeshuar deri në 16-16, por Stod Voleji vijoi ta fitonte atë me shifrat 25-19 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 25-19. Ndeshja e kthimit të këtij çifti luhet të mërkurën e ardhshme në Slloveni, por skuadrës së Arjola Prengës i nevojitet të fitojë vetëm dy sete për të siguruar vendin në çerekfinale.
Megjithatë, vetë 28-vjeçarja ka kërkuar nga skuadra e saj që ta fitojë edhe ndeshjen e dytë, duke mos i lënë asgjë rastësisë. “Ishte një fitore e bukur, por ende nuk kemi siguruar asgjë, – ka deklaruar ajo duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com. – Kemi edhe ndeshjen e kthimit përpara.”
“Për vetë formulën e kësaj veprimtarie nuk na mjafton vetëm një set, por duhet të fitojmë të paktën dy sete, domethënë të marrim një pikë, – ka vijuar ajo. – Por unë nuk do të dëshiroja të shkonim në Slloveni duke e menduar një gjë të tillë, pasi është një recetë për dështim. Ajo që na lipset është vetëm fitorja.”
“Vetëm kështu do të shkojmë me meritë në çerekfinale dhe, për më tepër, me moralin e duhur. Por do të jetë e vështirë dhe për këtë nuk duhet të kemi asnjë dyshim”, – ka përfunduar Prenga, duke folur për AlbanianSport.com. Ndërkohë, Stod Voleji kryeson renditjen e kampionatit norvegjez, me 15 pikë, pas 5 fitoresh në aq takime.