AlbanianSport.com 09/11/2021 19:25
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve po vazhdon përgatitjet intensive në prag të sfidave të rëndësishme që do të luajë në fushë të huaj, ndaj Sllovenisë më 12 nëntor dhe Kosovës më 16 nëntor 2021. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi ka zhvilluar të mërkurën edhe stërvitjen e fundit përpara nisjes në Slloveni, ku do të luajë edhe ndeshjen e parë ditën e shtunë.
Sipas asaj të ka bërë të ditur Departementi i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), grupit të kuqezinjve i është ribashkuar futbollisti i Legias së Varshavës, Ernest Muçi, i cili kaloi ditën e hënë në grumbullimin e Kombëtares së të rriturve.
Por, Pas dëmtimit të Tedi Carës, stafi kuqezi vendosi të thërriste sërish në ekip sulmuesin Muçi, pas diskutimit me stafin e Kombëtares së të rriturve. Kështu, Muçi ka qenë pjesë e stërvitjes së pasdites dhe do të jetë një ndihmë për dy ndeshjet e rëndësishme në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian që Shpresat do të luajnë kundër Sllovenisë dhe Kosovës.