AlbanianSport.com 09/11/2021 17:10
ASNN – Shpresat, gati për Slloveninë dhe Kosovën. Flasin për mediat futbollistët kuqezi, Armando Dobra dhe Adolf Selmani. Kuqezinjtë shpresojnë të arrijnë sërish të marrin 3-pikë pavarësisht se ndeshja e kthimit në Slloveni është e vështirë. Shpresat e Shqipërisë kanë nisur që prej së dielës grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy ndeshjeve të radhës ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të Nën-21-vjeçarëve. Kuqezinjtë do t’i zhvillojnë të dyja ndeshjet në fushë të huaj, fillimisht ndaj Sllovenisë më 12 nëntor, ndërsa 4 ditë më vonë do të luajnë kundër Kosovës.
Adolf Selmani që luan me klubin e Teutës në Shqipëri shprehet se skuadra do t’i vlerësojë të dyja ndeshjet maksimalisht dhe do të shkojë për fitore. Ai foli edhe për objektivat personal, teksa synon të mbrojë titullin “kampion” me klubin e tij dhe të kualifikohet me Shpresat në Evropian. Duke folur të mërkurën për mediat, Selmani ka vlerësuar fillimisht atmosferën në grup. “Atmosfera është shumë e mirë, kemi harmoni në ekip, – ka thënë ai fillimisht. – Grupi është i plotë, pa dëmtime. Shpresojmë të vazhdojmë kështu. U bë e disata herë që jam këtu dhe pas atij grupi 98-99’ që iku, tashmë i shoh djemtë si vëllezër tashmë dhe jo më si shokë.”
Në vijim, futbolli kuqezi kanë kërkuar përqendrim të plotë për sfidat e radhës. “T’i vlerësojmë ndeshjet maksimalisht sepse nëse do t’i vlerësojmë në mënyrën e duhur që nga ndeshja me Slloveninë, nëse ne fitojmë me sllovenët, pastaj me këmbë në tokë, do të shkojmë edhe për fitore në Kosovë, që mund të arrihet pasi e kemi treguar edhe më parë me të dyja ekipet që ne dimë t’i mundim ata, me detyrat dhe përkushtimin e udhëzimet e trajnerit, – ka thënë ai. – Nëse ne do t’i zbatojmë, ne do t’i arrijmë objektivat dhe do të kualifikohemi në këtë Evropian.” Ashtu si për Dobrën, edhe për Selmanin, synimet në këtë grup eliminator mbeten ambicioze.
“Besoj se mund të arrihet, por t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të japim maksimumin dhe të sakrifikojmë sikur kemi sakrifikuar edhe në ndeshjet e kaluara, – ka thënë mbrojtësi shtatlartë. – Është mëse e arritshme.” Në mbyllje, futbollisti kurbinas ka folur edhe për objektivat personalë. “Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, edhe rezultati nuk ka qenë shumë me ne, por shpresojmë që edhe rezultatet të vijnë, me punë dhe përkushtim, – ka thënë Selmani. – Në aspektin personal, objektivat janë të mbroj titullin kampion me Teutën dhe të shikoj më përpara, të jem pjesë e ndonjë ekipi në Evropë. Me Shpresat, shpresoj të arrijmë të kualifikohemi në këtë Evropian dhe të arrijmë objektivat e këtij grupi që kemi pasi jemi një grup i mirë.”