AlbanianSport.com 08/11/2021 20:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve në futboll ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2022. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu është shortuar në të njëjtin grup me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pasi bëri publike listën e 22 futbollistëve të grumbulluar për këto ndeshje, Cungu ka nisur menjëherë nga puna me kuqezinjtë, të cilët do të tentojnë kualifikimin dhe të marrin vendin e parë në grupin F.
Në stërvitjen e paradites së të hënës, ekipit ka pasur edhe një vizitë të veçantë, pasi në Kompleksin stërvitore të saj në Durrës, atij i është bashkuar edhe trajneri i Kombëtares së të rrritur, Edoardo Reja, i shoqëruar nga anëtarët e stafit teknik. Italiani ka pasur një diskutim me trajnerin Cungu dhe skuadrën kuqezi mbi këto ndeshje dhe mbi rëndësinë që kanë këto ndeshje. Ai u ka kërkuar lojtarëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të punojnë fort e me përkushtim për të vazhduar më tej rrugëtimin në radhët e ekipeve kombëtare.
Reja ka këshilluar lojtarët që të impenjohen maksimalisht për të krijuar një grup të mirë dhe të pretendojnë për të marrë rezultate sa më pozitive. Gjithashtu, trajneri i Kombëtares i ka siguruar të rinjtë se ata janë nën monitorim të vazhdueshëm nga specialistët e futbollit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe kanë të gjithë vëmendjen e duhur. Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Francës më 10 nëntor 2021, në Stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, ndërsa dy ndeshjet e tjera, kundër Serbisë më 13 nëntor 2021 dhe Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor 2021 do t’i luajë në Stadiumin “Elbasan Arena”.