AlbanianSport.com 08/11/2021 17:55
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka dalë të hënën në konferencën zyrtare për shtyp, në kuadër të dy ndeshjeve të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, kundër Anglisë më 12 nëntor 2021, dhe 3 ditë më vonë ndaj Andorrës në Stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Reja foli edhe për objektivat dhe atë çfarë pret nga skuadra në këto ndeshje si dhe theksoi se skuadra ka pasur rritje dhe është bërë më konkurruese, duke luajtur si e barabartë me këdo. “Ne do të impenjohemi maksimalisht në dy ndeshjet e mbetura, qoftë me Anglinë apo Andorrën për të shpresuar deri në fund”, – ka thënë ai, i pyetur për pritshmëritë për këto dy sfida.
“Shpresojmë që Hungaria të ndalë Poloninë dhe të naa japë një dorë duke ndalur Poloninë, – ka vijuar 76-vjeçari. – Lojtarëve do t’u kërkoj të japin maksimumin si ndaj Anglisë ashtu edhe ndaj Andorrës, pasi duam pikë. Ky është synimi ynë. Pasi të mbarojnë këto dy ndeshje do të bëjmë analizat tona për të parë çfarë kemi bërë mirë apo keq. Këto eliminatore kanë qenë një eksperiencë mjaft pozitive. Zhgënjimi më i madh që kam ishin dy humbjet me Poloninë, pasi nuk e merituam humbjen, në ndeshjen më të rëndësishme që ishte dhe më e rëndësishmja në histori, për menyrën se si erdhën gjërat. Ne patëm shumë probleme, me dëmtimet, me Covidin, më erdhi shumë keq.”
“Dhe akoma jam i irrituar që nuk kisha lojtarë në stol për të bërë zëvendësime, kishim pak mundësi zgjedhje dhe pikërisht në ndeshjen tonë më të rëndësishme dhe ishte fat i keq që nuk kishim mundësi zgjedhjesh, – ka theksuar italiani i stolit kuqezi. – Skuadra dha maksimumin në Hungari dhe ndaj Polonisë, dhe ne kishim nevojë për lojtarë të freskët por nuk kishim zgjedhje. Nëse do të barazonim me Poloninë do të kishim shumë shanse, por tani bëhet e vështirë. Kisha menduar që nëse do të arrinim në kuotën e 19 pikëve, do të kishim më shumë shanse në “play-off”, por meqë matematika na e lejon do ta provojmë deri në fund. Lojtarët e kanë të qartë sepse e kanë parë që kanë mundësi të bëjnë më shumë.”
“Është kënaqësi e madhe për mua të shoh skuadrën të rritet vazhdimisht, duke iu referuar ndeshjeve në fushë, paraqitjeve, – ka .pohuar Reja. – Jemi një skuadër shumë kompetitive. Kemi bërë dy ndeshje shumë të mira ndaj Polonisë që vlerësohet si skuadra më e fortë pas Anglisë, kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë që ishte në finalet e europianit. Më parë nuk e kishim menduar. Kemi marrë dy fitore me Hungarinë dhe ishim afër ëndrrës së “play-off”-it. Sidoqoftë, ne jemi rritur, në qoftë se do ta mbyllim me 18 pikë fazën do të isha mjaft i kënaqur, por më vjen keq që nuk arritëm të shkonim në “play-off”-in e Botërorit.”
“U kushtëzuam nga disa episode, sidomos në ndeshjen e parë në Poloni, ku na mungonte një 11-metërsh, apo nga disa gabime individuale, mund të bënim më mirë. Jam i bindur se nëse do të kishim të gjithë lojtarët e gatshëm do të ishte një histori tjetër, nuk po them thjesht një barazim, por dhe do ta fitonim ndeshjen. Ky ishte pengu im më i madh Jemi rritur, jemi kompetitiv, mund të luajmë si të barabartë me këdo, dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në të ardhmen të arrijmë synime të mëdha. Duhet të përmirësohemi”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi të futbollit, Edoardo Reja.