AlbanianSport.com 07/11/2021 23:10
ASNN – Niset nga vendi i 3-të por mbërrin i pari në finish dhe thellon kryesimin e renditjes. Me fitoren e tij të 3-të në pistën e Meksikës, që ishte edhe fitorja e 9-të në këto 18 gara të këtij sezoni, por edhe me 25 pikët e marra nga kjo fitore, Maks Verstapeni e thellon tanimë në 19 pikë kryesimin e tij në renditjen e pilotëve kundrejt Ljuis Hemiltonit. Holandezi e mbizotëroi garën e 18-të të këtij sezoni, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport.
Ndonëse ishte “Mercedes”-i që kishte siguruar në mënyrë të papritur, nisjen nga radha e parë me të dy makinat e saj, skuadra gjermane ka dalë e mundur të dielën nga Çmimi i Madh i Meksikës në Formula 1, sepse ka qenë rivalja e saj, “Red Bull”-i që ka triumfuar, duke e fituar këtë garë, me Maks Verstapenin, por edhe duke marrë vendin e 3-të, me pilotin vendas, Serxhio Perez. Në fakt, Verstapeni e mbizotëroi garën e 18-të të këtij sezoni, duke mposhtur me një lëvizje të guximshme, por të suksesshme rivalin Ljuis Hemilton.
Ndërkohë që gjithçka shkoi keq në kthesën e parë për Valteri Botasin, i cili u nis nga vendi i parë. Ndonëse Hemiltoni u nis mirë dhe parakaloi shokun e skuadrës nga pjesa e brendshme e kthesës, Verstapeni sulmoi nga pjesa e jashtme dhe frenoi në fund, por i sigurt, duke e ruajtur trajektoren dhe duke i lënë prapa rivalët në dalje të kthesës. Ndonëse në pistë u fut për sida xhiro makina e sigurisë, pas aksidentit midis Esteban Okonit, Juki Tsunodës dhe Mik Shumakerit, që bëri që këta dy të fundit të dalin nga gara, piloti holandez i “Red Bull”-it u shkëput sërish kundrejt Hemiltonit.
Ai e bëri këtë në rinisjen e garës në xhiron e 5-të, duke e thelluar gjithnjë e më tepër kryesimin e garës dhe duke mos e lëshuar atë deri në fund të 71 xhirove. Ndërkaq, vetë Hemiltonit, i cili u detyrua të kënaqej me shkallën e dytë të podiumit, iu desh t’i bënte ballë një sulmi nga piloti vendas i “Red Bull”-it, Serxhio Peres, i cili, sidoqoftë, me vendin e 3-të të siguruar, hyri në histori si i pari pilot meksikan që ngjitet në podium në garën e shtëpisë.
Kështu, me fitoren e tij të 3-të në pistën e Meksikës, që ishte edhe fitorja e 9-të në këto 18 gara të këtij sezoni, por edhe me 25 pikët e marra nga kjo fitore, Maks Verstapeni e thellon tanimë në 19 pikë kryesimin e tij në renditjen e pilotëve, ku ka 312.5 pikë, kundrejt 293.5 pikëve të Hemiltonit. Ndërkaq, “Mercedes”-i kryeson me vetëm një pikë renditjen e konstruktorëve kundrejt “Red Bull”-it, ndërsa “Ferrari” i ka rrëmbyer vendin e 3-të “MekLaren”-it.