AlbanianSport.com 07/11/2021 20:10
ASNN – Dy gola, nga një për secilën pjesë loje, mposhtin Kastriotin në takimin e javës së 8-të. Partizani ka gjetur fitoren e parë të këtij sezoni në kampionat, teksa në duelin e vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore, ka mposhtur Kastriotin me shifrat 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje. Në fakt, takimi i luajtur në Stadiumin e Kamzës ka parë Partizanin ta nisë më mirë dhe, në minutën e 10-të, Rrapaj jep një pasim të gjatë, duke nxjerrë Malën para portierit. Prekja e mesfushorit bën që topi të kalojë Salin, por pa patur shënjestrën e duhur, duke kaluar jashtë atë katërkëndorit.
7 minuta më pas, vjen një tjetër goditje dënimi e rrezikshme e Partizanit. Topi harkohet nga Kaçe i cili gjen Mustën, por gjuajtja e tij me kokë fluturon mbi shtyllën horizontale. Gjysmëora e lojës do të sjellë një përplasje të fortë kokë më kokë mes Ajazit dhe Herald Markut dhe stafi mjekësor i dy skuadrave futet menjëherë në fushë për të mjekuar lojtarët. Marku nuk mund të vazhdojë dhe largohet drejt dhomave të zhveshjes, i zëvendësuar nga Cara. Në minutën e 37-të, vjen edhe goli i parë i Partizanit. Goditje dënimi e shkëlqyer e Mustës nga mbi 25 metra.
Dhe topi shkon aty ku Sali nuk mund ta arrijë dhe përshëndet rrjetën. Kastrioti reagon dhe, në minutën e 43-të, Prodani ekzekuton drejt portës një goditje dënimi nga e djathta, por Teqja kontrollon jo pa vështirësi në dy kohë. Në minutën e fundit, kërkojnë 11-metërsh krutanët, kur pas një harkimi të Prodanit është Sota, i cili devijon jashtë. Vendasit pretendojnë për 11-metërsh për prekje topi me dorë, por kryesori bën shenjë që loja të vazhdojë. Me epërsinë minimale të Partizanit mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta shikon krutanët të provojnë në minutën e 57-të.
Atëherë kur Prodani harkon nga e majta në shtyllën e dytë për Nezirin i cili gjuan fluturimthi, por Teqja është i vëmendshëm dhe grushton jashtë. 11 minuta më pas, është fillimisht Greca dhe më pas Prodani gjuajnë drejt portës, por nuk arrijnë që të kalojnë mbrojtësit që bllokojnë gjuajtjet drejt Teqjes. 20 minutat e fundit janë më të mira për Partizanin dhe, në të 73-tën, i sapofuturi Murataj godet me të majtën në hyrje të zonës, por topi shkon në ngritje dhe përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën horizontale të portës krutane.
3 minuta më pas, Sembene shënon golin e dytë për Partizanin, por më pas ai anulohet nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), për pozicion jashtë loje të Mustës gjatë aksionit të të kuqve. Minuta e fundit e kohës së rregullt do të sjellë edhe golin e dytë të kryeqytetasve, pas një kundërsulmi të shpejtë që finalizohet nga Rrapaj. Partizani mposht kështu Kastriotin me shifrat 2-0 dhe lehtëson trysninë mbi trajnerin Ilir Daja.