AlbanianSport.com 06/11/2021 18:40
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka shpallur të shtunën listën me 24 lojtarët që ai ka vendosur të grumbullojë për dy ndeshjet e fundit eliminatore të vlefshme për Botërorin “Katar 2022”. Lista ka pak ndryshime nga grumbullimi i fundit në tetor, teksa rikthehen në Kombëtare emra si Albi Doka dhe Qazim Laçi. Ky i fundit nuk ishte pjesë e listës në tetor për shkak të disa problemeve fizike.
Do të mungojë për shkak dëmtimi këtë herë mbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti, i cili u dëmtua në ndeshjen që Kombëtarja zhvilloi ndaj Hungarisë në Budapest dhe nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij për kuqezinjtë. Ai është rikthyer me skuadrën e tij italiane, por ende nuk është në 100 % të formës. Po kështu mungon në listë edhe Rei Manaj.
Ekipi do të nisë grumbullimin nga dita e hënë në Durrës ku do të nisin përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, që janë edhe dy sfidat e fundit për këtë fushatë eliminatoresh. Shqipëria renditet hëpërhë e 3-ta në Grupin I me 15 pikë pas 8 ndeshjesh, ndërsa më 12 nëntor 2021 do të sfidojë Anglinë në fushë të huaj. Më 15 nëntor 2021, në Stadiumin “Arena Kombëtare”, kuqezinjtë do të ndeshen me Andorrën.
Të hënën paradreke, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja do të dalë në një konferencë për shtyp, që do të zhvillohet në orën 11:00 në kompleksin stërvitor kuqezi në Durrës, ku do të shpjegojë edhe zgjedhjet dhe do të analizojë dy sfidat e radhës, që janë edhe të fundit në këto Eliminatore për skuadrën e tij. Më poshtë edhe lista e Kombëtares për dy ndeshjet e nëntorit: