AlbanianSport.com 05/11/2021 22:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve do të luajë në 10-ditëshin e dytë të tetorir dy ndeshjet e radhës të vlefshme për Eliminatoret e Evropianit 2023. Përballë kuqezinjve Nën-21-vjeçarë do të jenë Sllovenia dhe Kosova. Për këto dy sfida trajneri i Kombëtares kuqezi të kësaj grupmoshe ka kërkuar maksimumin e pikëve. Bushi vazhdon të theksojë se objektivat e Shqipërisë së Nën-21-vjeçarëve janë të grumbullojnë sa më shumë pikë dhe të dërgojnë sa më shumë lojtarë në ekipin kombëtar A, ndërsa për dy ndeshjet ai kërkon maksimumin, 6 pikët.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, Bushi është pyetur edhe për lojtarët e kampionatit shqiptar. “Ua kemi dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve të kampionatit, – ka theksuar ai. – Ata që luajnë janë marrë, si lojtarët e Kukësit Tafas e Peposhi. Kishim edhe Prengën e Laçit që ka marrë pak minuta kohët e fundit. Jemi munduar t’i alternojmë, të marrim nga kampionati ynë dhe nga jashtë.” Po, a ka patur përplasje me Kosovën për lojtarët? “Kemi kontaktuar lojtarë të Kosovës, para se ata të bënin zgjedhjen e tyre”, – përgjigjet trajneri i Shpresave.
“Disa kanë shkuar te Kosova dhe është normale mendoj, – ka vijuar ish-futbollisti i njohur kuqezi. – Nëse do të kishim një Kombëtare të vetme, mendoj se do të kishim një ekip shumë të fortë. Edhe ndeshja me Kosovën është shumë e rëndësishme. Do mundohemi të fitojmë, por më e rëndësishme është ndeshja e parë. Konkurencë me Kosovën? Me Kosovën kemi konkurrencë sikur me ekipet e tjera. Nuk është diçka më ndryshe si të tjerat, si një derbi.” Në mbyllje, trajneri i Shpresave ka folur edhe për të ardhmen e tij në këtë detyrë.
“Jam mirë tek Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve dhe ndihem krenar dhe kam përgjegjësi që drejtoj Shqipërinë, – është përgjigjur ai. – Për momentin jam i fokusuar këtu ëndrra ime është që të kualifikohem në Evropian me këtë ekip.” Kombëtarja kuqezi e Nën-21-vjeçarëve do të luajë me Slloveninë në 12 nëntor 2021, duke nisur nga ora 18:00, dhe me Kosovën më 16 nëntor 2021, duke niusr nga ora 19:00. Të dyja ndeshjet janë në fushë të huaj. Ekipi i Nën-21-vjeçarëve kuqezi, i drejtuar nga trajneri shqiptar do të nisë grumbullimin më 7 nëntor 2021 në Durrës.