AlbanianSport.com 04/11/2021 20:10
ASNN – Në Ligën e Kampioneve shumë të vështira janë kombinacionet e Milanit për të kaluar në turin e 16-shes. Kushti që Milani të vazhdonte të shpresonte ende për një kualifikim në Ligën e Kampioneve, ishte fitorja e Liverpulit ndaj Atletikos së Madridit. Dhe kështu ndodhi. Liverpuli fitoi 2-0 në “Enfilld” ndaj skuadrës së trajnerit Diego Simeone, duke bërë thjesht detyrën e duke siguruar vendin e parë në grupin B me 12 pikë.
Nga kjo fitore nuk përfitoi dot Milani, që barazoi 1-1 me Porton në “San Siro”. Situata në grupin B është Liverpuli 12 pikë, Porto 5, Atletiko e Madridit 4 dhe Milani 1. Edhe pse ndodhet në vendin e fundit në grup, Milani mund të shpresojë ende për një kualifikim për në fazën tjetër. E për të ndodhur kjo mrekulli, kuqezinjtë duhet të fitojnë detyrimisht të dyja ndeshjet e ardhshme në gup.
Pra, të fitojnë në Madrid më 24 nëntor dhe në “San Siro” me Liverpulin më 7 dhjetor 2021. Sigurisht që edhe këto dy fitore mund të mos mjaftojnë. Dy janë kombinacionet e mundshme në favor të Milanit. E para: fitorja e Liverpulit ndaj Portos në ndeshjen e parafundit dhe barazimi midis Portos e Atletikos në ndeshjen e fundit, ose fitore e Milanit me 2 gola diferencë në Madrid.
E dyta: barazim midis Liverpool dhe Porto në ndeshjen e pestë dhe fitore e Atletikos ndaj Portos në ndeshjen e fundit. 6 pikë të rëndësishme për t’u arrirë për kuqezinjtë milanezë në dy ndeshje, në një kohë që ka marrë vetëm 1 pikë në 4 sfidat e deritanishme. E këto duhen siguruar me kombinacione shumë të ndërlikuara matematikore që shkojnë përtej futbollit.