AlbanianSport.com 12.12.2014 12:05
ASNN – Gjatë një lidhje telefonike për paketën me pagesë, “SuperSpor”, Daniel Daniel Godelli ka theksuar se është i bindur në pastërtinë e tij. I shokuar, me një zë ku shfaqej qartë tronditja e trishtimi për lajmet që kishin filluar të qarkullonin në lidhje me rezultimin e tij pozitiv në testin e antidopingut, e ka pasur të vështirë ta pranojë një gjë të tillë. Pak minuta para publikimit të lajmit në faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Daniel Godelli këmbënguli se është i bindur në pastërtinë e tij.
22-vjecari nga Peqini u shpreh se u informua për këtë lajm nëpërmjet mediave, edhe pse pak minuta më vonë Federats Ndërkombëtare e Peshëngritjes zyrtarizoi gjithçka duke konfirmuar se Daniel Godelli rezulton pozitiv me stanozolol. Peshëngritësi shqiptar u shpreh se deri në atë moment nuk kishte marrë asnjë informacion nga Federata e Peshëngritjes për këtë çështje. Madje theksoi se afati zyrtar për daljen e analizave ishte data 6 dhjetor 2014, 21 ditë pas përfundimit të garës së tij në Kampionatin Botëror të peshëngritjes. që u zhvillua në Kazakistan.
“Unë kam dyshimet e mia për mos respektimin e këtyre afateve dhe do ta mbroj deri në fund pastërtinë time, – ka theksuar Godelli. – Falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin. Flas në emër të gjithë ekipit kombëtar të peshëngritjes dhe kolegëve të mi që ndjejnë të njëjtin siklet si dhe unë. Jemi të vetëdijshëm që jemi një shtet i vogël dhe i varfër, duhet të kuptoni që një kampion bote për shtetin tonë është shumë më e madhe se një investim që bëjnë shtetet e tjera.”
“Dhe jam i mërzitur vetëm për një gjë që ndoshta shumë njerëz ndjehen të zhgënjyer nga unë dhe kolegët e mi. Sot ju bëj një kërkesë nga i gjithë komuniteti i peshëngritjes, të na mbështesni deri në momentin e fundit, sepse dopingu nuk është pjesë e jona. Këto rezultate i arritëm me mund dhe djersë, ju falënderoj dhe dua një mbështetje si kur të isha para garë. Mos e bëni për mua, por për flamurin shqiptar”, – ka përfunduar kampioni i botës, Daniel Godelli.