AlbanianSport.com 04/11/2021 17:55
ASNN – Skenarët se si mund të kualifikohet Inter dhe Milani. Me fitoren 3-1 në fushën e Sherifit të Tiraspolit, Interi ndodhet tashmë në vendin e dytë në grupin D të Ligës së Kampioneve dhe i afrohet më shumë kalimit për në turin e 16-shes. Por kualifikimin në këtë fazë të Ligës së Kampioneve e synojnë të 3 skuadrat, Reali i Madridit, që ka 9 pikë, Interi, me 7, dhe Sherifi, me 6, në një kohë që Shahtjori i Donjeckut ka 1 pikë.
Skuadra e trajnerit Simone Inzagi do të përballet në dy ndeshjet e fundit në grup me Shahtjorin në “San Siro”, më 24 nëntor 2021, dhe, në fund, më 7 dhjetor 2021 me Realin e Madridit në Spanjë. Sigurisht që zikaltërit duan të kalojnë në turin e 16-shes, aty ku mungojnë prej 2012, por duhet të fitojnë të dyja ndeshjet dhe në këtë rast do të jenë të parët e grupit. Kalimi i grupit do të jetë i garantuar edhe nëse mundin Shahtjorin dhe Reali i Madridit nuk humbet në fushën e Sherifit.
Në rast të një çudie, një fitore të moldavëve ndaj spanjollëve, zikaltërit megjithë fitoren ndaj ukrainasve, do të luanin gjithçka në ndeshjen e fundit në “Santiago Bernabeu”. Ndeshja në Spanjë do të bëhej vendimtare edhe në rast barazimi me Shahtjorin, duke konsideruar edhe faktin që Sherifi i Tiraspolit luan ndeshjen e fundit në grup me skuadrën nga Donecku, që, sipas të gjitha gjasave, deri atëherë është e eliminuar edhe matematikisht.