AlbanianSport.com 03/11/2021 17:25
ASNN – Klubi katalan duhet t’i paguajë klubit Al Sad’d 5 milionë Eurosh për ta marrë trajnerin. Barcelona duhet të paguajë një klauzolë prej 5 milionë Eurosh Al Sad’dit për të marrë Ksavin. Kjo klauzolë u nënshkrua në rinovimin e fundit, që klubi i Katarit bëri me ish-futbollistin e Barcelonës qershorin e shkuar. Kjo gjë i ka dhënë një kthesë tjetër realizimit të dëshirës së Barcelonës për të marrë në drejtimin e skuadrës së vet Ksavin.
Për të zgjidhur këtë ngërç, drejtuesit e Al Sad’dit kanë kërkuar që të vijë në Katar për të biseduar vetë presidenti i Barçës, Joan Laporta. Ka qenë Sheih Mohamed bin Hamad ai që ka kërkuar bisedimet me Joan Laportën nëse duan që Ksavi të shkojë falas në Barcelonë. Kjo në shenjë respekti dhe përzemërsie të Sheikut. Në Doha nuk e përjashtojnë mundësinë që presidenti i skuadrës katalane të bëjë një udhëtim rrufe në Katar në orët e ardhshme për të përfunduar mbylljen e operacionit.
E për të shpëtuar 5 milionë Euro ia vlen një përpjekje e vogël. Por në momentin e fundit, presidenti Laporta ka vendosur të mos udhëtojë për në Doha, por ka dërguar Rafael Justen, zëvendëspresident sportiv i Barcelonës dhe Mateu Alemanin, drejtorin e klubit. Në një kohë që Katari e bëri të qartë se kërkonin praninë e presidentit të Barçës në negociatat për Ksavit. Ata ishin të gatshëm të negocionin vetëm ballë për ballë me përfaqësuesin më të lartë të Barcelonës.
Në të kundërt do t’i referoheshin pagesës së dëmshpërblimit. Kjo është një shumë e rëndësishme, pasi Barcelona ka vetëm një limit pagash prej 3.5 milionë euro për të ndërmarrë nënshkrimin e Ksavit dhe stafit të tij.