AlbanianSport.com 03/11/2021 13:40
ASNN – Sulmuesi: “Nën drejtimin e trajnerit italian do të vijnë edhe rezultatet”. Totenhemi po pret që Antonio Konte të pajiset me vizë nga qeveria britanike, në mënyrë që të marrë drejtimin e klubit të tij të ri. Sipas marëveshjes së arritur me klubin anglez, ai do të jetë pranë skuadrës të enjten. Madje “Spërs” shpresojnë që ai të drejtojë skuadrën që në ndeshjen me Vitesen e Arnhemit, të vlefshme për Ligën e Konferencës.
Një nga lojtarët që është gëzuar më shumë, për adhjen e trajnerit italian është Herri Kejn. Ai është i emocionuar për të punuar së bashku me Konten. Sulmuesi është i entuziazmuar nga ardhja e 52-vjeçarit duke pasur parasysh rekordet e tij të suksesit. Kejn ka qenë i irrituar nga mungesa e ambicies së klubit dhe si rezultat i kësaj u përpoq të largohej nga klubi në verë. Por ardhja e Kontes shihet sigurisht si pozitive nga sulmuesi i Totenhem.
“Uroj që çdo gjë të shkojë mirë nën drejtimin e Kontes dhe skuadra të fillojë të marrë rezultatet e duhura, – tha futbollisti i përfaqësueses angleze. – Madje, mendoj se temperamenti i trajnerit italian na përshtatet ne si skuadër.” Konte do të kalojë dy muajt e ardhshëm duke vlerësuar skuadrën e tij përpara se të vendosë se kë do të konsideronte të largonte, në mënyrë që të grumbullonte para për të riinvestuar në merkaton e dimrit. Ish-trajneri i Çellsit do të ketë para për të shpenzuar dhe kuptohet se është i interesuar të afrojë Vllahoviçin, Kesin dhe Barellën.