AlbanianSport.com 02/11/2021 19:55
ASNN – Ka nisur edicioni i dytë i veprimtarisë “FSHF Cup”, një nga turnetë më të rinj e të suksesshëm të futbollit amator në formatin 9×9 të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në hapje të këtij kampionati ishin të pranishëm edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu dhe Drejtori i Departamentit të Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri.
Gjatë ceremonisë, anëtar i KE-së, Kuriu uroi që “të kemi një fillim të mbarë të këtij aktiviteti. Urojmë e shpresojmë që të fitojë më i miri dhe të kemi një garë në frymën e “fair-play”-it”. Edhe drejtori i Departamentit të Futbollit Amator, Demneri falënderoi skuadrat pjesëmarrëse dhe shprehu dëshirën që ky kampionat të dhurojë sa më shumë emocione dhe futboll të bukur.
Kjo veprimtari përmbledh 32 skuadra të cilat do të përballen ndërmjet tyre me sistem eliminimi direkt. Ndeshjet e “FSHF Cup”, që do të zhvillohen në kompleksin “Skënder Halili” dhe atë “Football Republic” në Tiranë, do të luhen paralelisht me kampionatin “FSHF Sunday League Albania”. Në ditën e parë të këtij edicioni të dytë, u zhvilluan 3 ndeshje.
Më konkretisht u luajtur takimet Pastaria-Milan MFC 2-0, Futura Dent-Lev Tech 2-0 dhe Confucius-Enco Al 3-2 pas kohësh shtesë. FSHF Cup (ku skuadrat luajnë me nga 9 lojtarë secila) është një risi absolute për futbollin amator pas Kampionatit Kombëtar të Futbollit 5×5, që ka nisur sezon dhe ka gjetur një përhapje të menjëhershme në të gjithë vendin brenda një kohe të shkurtër.