AlbanianSport.com 02/11/2021 17:40
ASNN – Specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) kanë qenë këtë fillimjavë në Lezhë për të vijuar me përzgjedhjet e futbollistëve të vegjël, të cilët janë evidentuar nga Zyra Rajonale e FSHF-së në këtë qytet. Të pranishëm në këtë seleksionim ishin eksperti i futbollit në Departamentin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, trajneri i Kombëtares së Nën-15-vjeçarëve, Armand Damo dhe trajneri i Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve, Ardi Behari.
Përfaqësuesit e FSHF-së vëzhguan në aksion 55 futbollistë të vitlindjes 2011 dhe diskutuan me to dhe me trajnerët e tyre për mënyrën se si duhet të punohet sa më mirë, për të pasur sa më shumë elementë të vlefshëm për ekipe kombëtare dhe për futbollin shqiptar në të ardhmen. Sipas Memës, ka shumë fëmijë të talentuar, por është shumë e rëndësishme që të përmirësohet vazhdimisht cilësia e stërvitjes dhe fëmijët të përgatiten në mënyrë të rregullt gjatë javës.
Gjatë javës së kaluar Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punën me përzgjedhjet e futbollistëve të rinj të vitlindjeve 2008, 2009, 2010 në të gjitha zonat rajonale të vendit. Përzgjedhjet janë përmbyllur në Zyrat Rajonale të FSHF-së në Gjirokastër, Fier, Tiranë dhe Lezhë nën drejtimin e specialistëve të Drejtorisë Teknike të Federatës si dhe trajnerëve të ekipeve përfaqësuese rajonale dhe ekipeve kombëtare të moshave.
Deri më tani, përzgjedhjet janë mbyllur në disa zyra rajonale, ku numri më i lartë i lojtarëve të paraqitur ka qenë në Tiranë.