AlbanianSport.com 02/11/2021 16:10
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, rikthehet në mesjavë me takimet e 4-ta të fazës së grupeve dhe të martën luhen takimet e vlefshme për grupet E, F, G dhe H. Kështu, në grupin E, Bajerni pret në Mynihut Benfikën me gjermanët të ndërgjegjshëm se një fitore ndaj portugezëve do ta mbyllte që sonte edhe matematikisht çështjen e kualifikimit. Bavarezët i kanë fituar të 3 takimet e para dhe fitorja në takimin e sotëm do të nënkuptonte se ata nuk do të renditeshin më poshtë se vendi i dytë në grup.
Ndërkohë, në takimin tjetër të grupit, Barcelona ka udhëtuar drejt Kievit për t’u ndeshur me Dinamon, e ndërgjegjshme se vetëm fitorja do ta mbante gjallë ëndrrën kontinentale përtej një periudhe të vështirë për gjiganden katalane. Ndërkaq, në grupin F, Mançester Junajtid nuk do të siguronte kualifikimin matematikisht, por do të hidhte një hap masiv përpara nëse do të korrte një fitore tjetër ndaj Atalantës, në ndeshjen që do të luhet në Itali. Anglezët kanë 6 pikë, dy më tepër sesa Vijareali dhe italianët, ndërsa në vendin e fundit ndodhet Jang Bojs e Bernës, me 3 pikë.
Kjo e fundit udhëton drejt Spanjës, për t’u ndeshur me skuadrën vendase, në një përballje që mund të vendosë shumëçka për të dyja skuadrat, teksa më pas mbeten edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Një hap të madh përpara mund të bëjë në grupin G edhe Salcburgu, që madje, mund të sigurojë edhe matematikisht kualifikimin nëse mposht Volfsburgun në takimin që luhet më herët dhe nëse Sevilja bën të njëjtën gjë më vonë përballë Lilës. Një fitore e gjermanëve do ta rihapte grupin, ashtu siç do të bënte një fitore e Lilës, por gjithçka mbetet në kuadër të hipotezave.
Dhe, së fundi, në grupin H, Juventusi e ka vetë fatin në dorë, teksa me një fitore në shtëpi ndaj Zenitit të Shën Pjetërburgut, do të siguronte edhe matematikisht vendin në turin e 16-shes edhe më pas mbeten edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Një hap të madh përpara në këtë drejtim do të bënte edhe kampionia në fuqi e Evropës, Çellsi, që, me një fitore në Suedi në takimin që luhet më herët me Malmoen, do të konsolidonte pozitat e saj në vendin e dytë. Ndërkaq, takimet e 4 grupeve të tjera, A, B, C dhe D, luhen të mërkurën.