AlbanianSport.com 01/11/2021 18:40
ASNN – Në klubin kuqeblu pohojnë luhatjet në rezultate, por nuk lëkundet besimi tek gjermani. Vetëm 3 fitore në 10 ndeshjet e para të këtij sezoni në të gjitha veprimtaritë, teksa janë pësuar edhe 4 humbje, por janë marrë edhe 3 barazime nuk ka qenë fillimi që Vllaznia do të kishte dëshiruar. Për më tepër, në një sezon ku shpresat dhe pritshmëritë ishin të mëdha, edhe për shkak të një sezoni të shkuar të shkëlqyer, ku shkodranët e humbën titullin “kampion” vetëm për golaverazh, por u ngushëlluan me trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Pas humbjes në duelin e Superkupës përballë Teutës kampione në fuqi në fund të gushtit, erdhi një fitore premtuese, 5-3 në një fushë premtuese si Laçi në uverturën e kampionatit, por, përtej asaj goleade dhe një goleade tjetër, 6-3, në 10-ditëshin e dytë të tetorit në shtëpi ndaj Dinamos, gjithçka tjetër ka qenë gri për kuqeblutë. Dy barazime 1-1, në shtëpi me Teutën dhe në fushtë të huaj me Partizanin, por edhe një tjetër pa gola në Korçë përballë Skënderbeut, bënë që skuadra të mbetej në vallen e kreut.
Por dy humbje identike brenda 6 ditësh në javën e fundit të tetorit, 0-2 në fushë të huaj me Kukësin dhe, sidomos ajo 0-2 në fushë të vet përballë Tiranës së mbetur me 10 lojtarë, kanë bërë që opinionistë të ndryshëm të ngrenë dyshime mbi vazhdimësinë e Tomas Brdariçit në krye të stolit të Vllaznisë. Por tek klubi shkodran nuk kanë të tilla dyshime, pasi presidenti Alban Xhaferi e ka konfirmuar gjermanin në drejtim të skuadrës.
“Natyrisht që jemi të zhgënjyer nga këto dy humbje të njëpasnjëshme, dhe kjo është bërë pjesë e një analize të hollësishme me stafin, që vazhdon, por, nga ana tjetër, kampionati është i gjatë,dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për të arritur objektivat tona”, – ka thënë ai shkurtimisht, duke folur për RTSH Sport përmes linjës telefonike. “Për më tepër, jemi ende në fillim të këtij sezoni dhe puna vazhdon, prandaj nuk shoh asnjë arsye për ndryshime”, – ka vijuar ai.
“Aq më pak të jetë diskutuar për ndryshim trajneri, prandaj nuk e kuptoj se nga dalin të tilla spekulime. Ne vazhdojmë punën, por natyrisht duke synuar të përmirësojmë ato gjëra që mund t’i bëjmë më mirë, për të marrë rezultate më të mira”, – ka përfunduar presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Me pak fjalë, Vllaznia e ka hedhur vështrimin tashmë tek ndeshja e radhës, që është takimi i parë i turit të 16-shes me Pogradecin.