AlbanianSport.com 30/10/2021 19:25
ASNN – Pas takimit hapës të premten, ku Kukësi ka mundur në kryeqytet Dinamon, të shtunën janë në program dy ndeshje të tjera në kuadër të javës së 7-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Dhe Mirel Josa e ka nisur me fitore aventurën si trajner i Laçit, duke korrur suksesin e dytë radhazi dhe duke mundur Skënderbeun me rezultatin 2-0, në takimin e luajtur pasdreke. Ka qenë dygolëshi i Guindos, me nga një gol për secilën pjesë loje, ai që u ka dhënë 3 pikë të vlefshme kurbinasve dhe njëkohësisht ka “fundosur” skuadrën korçare.
Kurbinasit e nisën me ritmin e duhur sfidën, duke vënë disa herë në vështirësi kundërshtarin. Sidoqoftë, episodi që do të ndryshojë rrjedhën e lojës, vjen vetëm në minutën e 37-të, teksa Regi Lushkja ka pësuar një ndërhyrje të parregullt brenda zonës dhe gjyqtari Hamiti, edhe me ndihmën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), ka dhënë 11-metërsh. Guindo ka marrë përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe nuk ka gabuar, 1-0 për kurbinasit. Në fund të pjesës së parë Laçi kishte mundësinë për të dyfishuar rezultatin, por Lushkja është ndalur nga shtylla horizontale.
Edhe pjesa e dytë është e njëjta tablo, me vendasit më kërkues, të cilët arrijnë të dyfishojnë rezultatin në minutën e 65-të. Është sërish Guindoja, që pas një veprimi të bukur individual, e ka dërguar topin në rrjetë, duke plotësuar kështu dygolëshin e tij në këtë ndeshje. Minutat në vazhdim nuk kanë më histori, pasi korçarët janë dorëzuar dhe Laçi i gëzohet fitores dhe 8 pikëve në renditje, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e fundit, me vetëm 3 pikë të grumbulluara në këto 7 javë të para, teksa kanë nisur për rikthehen makthet e sezonit të shkuar.