AlbanianSport.com 29/10/2021 23:55
ASNN – Presidenti i Nderit i Kukësit, Safet Gjici, vlerëson punën e trajnerit Longo pas fitores me Dinamon. “Kënaqësi që Dinamo është përsëri pjesë e Superiores, se ka vite jashtë saj, – ka thënë ai fillimisht, duke folur për mediat pas ndeshjes. – Ka ekip shumë të mirë, por ne na gëzon fitorja. Kishim ardhur për fitore dhe fituam. Por kemi shumë punë për të bërë, kishim ca mungesa, por fituam. Loja e ekipit të Kukësit është komplet ndryshe, trajneri ka vendosur sistem tjetër loje që na pëlqen, përpos rezultateve.”
“Po të ecë kështu, duke i marrë ndeshjet një nga një, janë edhe lojtarë të rinj e duan kohën të shkojnë ku duhet, shoh që ekipi i ka ngritje në çdo ndeshje, – ka vijuar Kryetari i Bashkisë së Kukësit. – Unë besoj, jemi shpejt për të folur. A jemi për kampion? Ekipi është ndërtuar për kampion. Duhet të marrim ndeshjet një nga një. Kampionati është i fortë, edhe të tjerët kanë bërë investime. Klubi duhet të mirëmenaxhojë situatat. Edhe Tirana është me meritë ku është, duhen vlerësuar të gjitha ekipet se kampionati është shumë i fortë këtë vit.”
“Kur fitojmë, për trajnerin Longo është nota 10, ka fituar. Por edhe ai vetë, për shembull, ka pakënaqësitë e veta, disa lojtarë që nuk kanë zbatuar si duhet detyrat. Jemi të kënaqur me fitoren, kur fitohet nuk gjykohet, ai është profesionist, e di ku janë problematikat dhe punon për t’i korrigjuar. Ai ka lojtarë, ka edhe stol, por është puna e trajnerit me çfarë lojtarësh e formacioni. Longo deri tani është mirë dhe me këtë sistem loje ne jemi të kënaqur”, – ka përfunduar Presidenti i Nderit i Kukësit, Safet Gjici.