AlbanianSport.com 29/10/2021 22:10
ASNN – Piloti francez deklaron: “Nuk i ndahem “20”-ës”. Sapo ka fituar titullin “kampion bote” në Moto GP, por francezi i ka idetë e qarta se çfarë numri do të mbajë të shkruar në pjesën e përparme të motorit të tij “Jamaha”, duke u frymëzuar nga Valentino Rosi. Ashtu siç bëri Joan Miri sezonin e shkuar, edhe Fabio Quartararo ka vendosur që të mos zbresë në pistë në Botërorin e 2022-shit në Moto GP, me numrin 1 në motorin e tij, të cilin vetëm “kampioni i botës” në fuqi mund ta zgjedhë.
Francezi e ka marrë tashmë këtë vendim, madje ia ka sugjeruar historia. Pas asnjë dyshim, këtë vendim e ka dekIaruar edhe në intervistën e fundit: “Dua ta bëj çdo gjë në mënyrë sa më të thjeshtë. Sot nuk jam as afër numrit 1 në botë”, – ka thënë Kuartararo, duke iu referuar edhe mitit të tij: “Për mua shembull është Valentino Rosi. E ka fituar 9 herë Kampionatin Botëror të Moto Gp dhe nuk ka garuar asnjëherë me numrin 1 në motor. Mendoj se kjo është gjë e bukur edhe për publikun, pasi ka vite që asnjë pilot nuk e përdor këtë numër.”
“Me numrin 20 e kam filluar karrierën time dhe me të do ta mbyll”, – ka shtuar ai. Ndërsa duke iu kthyer festimeve të së dielës në Mizano, piloti i “Jamaha”-s përgjigjet: “Nuk dija asgjë përsa i përket organizimit të festimeve. E dija që po përgatisnin një kaskë të re dhe një festë, por duke qenë se jam shumë supersticioz, preferova të mos merrja vesh asgjë. I falënderoj të gjithë personat që punuar për këto festime. Do të jetë një gjë të cilën do ta ruaj gjithë jetën në zemrën time”, – ka përfunduar Fabio Kuartararo.