AlbanianSport.com 28/10/2021 17:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-15-vjeçarëve ka zhvilluar të enjten ndeshjen e dytë miqësore, të programuar ndaj Malit të Zi. Ndeshja e luajtur në Podgoricë përfundoi me fitoren 1-0 të përfaqësueses së Nën-15-vjeçarëve malazezë. Shqipëria e Nën-15-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion: 12. Topollaj, 2. Avdullari, 14. Nela, 5. Gurra, 15. Elmazi, 6. Laze, 8. Dashi (kapiten), 19. Arifi, 9. Gici, 10. Malaj dhe 11. Rifa.
Kuqezinjtë bënë një paraqitje të mirë, por u ndëshkuan në minutën e dytë të pjesës së dytë nga malazezët. Në pjesën e dytë trajneri Dama hodhi në fushën e lojës edhe lojtarët Zadeja, Hysa, Bytyçi, Cypi, Kamenica, Jançe dhe Muça. Përfaqësuesja kuqezi krijoi vëllim loje dhe raste për shënim, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës, me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund. Kjo ishte miqësorja e dytë e Kombëtares së Nën-15-vjeçarëve ndaj bashkëmoshatarëve të Malit të Zi.
Ndeshja e parë, e luajtur më 26 tetor po në Podgoricë, përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të përfaqësueses së Nën-15-vjeçarëve malazezë. Pavarsisht rezultateve këto dy ndeshje ishin një mundësi e mirë për stafin teknik që të provonte disa nga elementët më të spikatur të vitlindjes 2007. Skuadra kishte udhëtuar që të shtunën e kaluar drejt Ulqinit për miqësoret, ndërsa grumbullimi do të zgjasë 6 ditë.
Synimi i këtyre miqësoreve është për të monitoruar ecurinë dhe gjendjen e këtyre lojtarëve e për të përzgjedhur elementët e perspektivës që mund të jenë të vlefshëm për të kaluar në ekipet kombëtare të Nën-16-vjeçarëve, Nën-17-vjeçarëve e kështu me radhë.