AlbanianSport.com 25/10/2021 18:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare e femrave ka udhëtuar ditën e diel drejt Polonisë për ndeshjen e radhës në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “Australi-Zelandë e Re 2023”. Delegacioni kuqezi u ishte nënshtruar një ditë më parë testeve me tampon dhe pasi të gjithë u konfirmuan negativë, u nis në mëngjes drejt Polonisë për të mbërritur pasdreke në qytetin e Tiçit, ku edhe do të luhet ndeshja me rivalet polake.
Pasditen e së dielës skuadra nën drejtimin e trajnerit Armir Grima ka zbritur në fushë për të kryer një seancë stërvitore. Deri tani gjithçka ka shkuar normalisht, pa probleme fizike dhe skuadra është në gjendje të mirë. Fitorja e shkëlqyer me Armeninë ka krijuar një atmosferë mjaft pozitive dhe vajzat kuqezi janë optimiste për një tjetër paraqitje po aq të mirë edhe ndaj Polonisë.
Të hënën pasdite skuadra do të zhvillojë edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Ndeshja e femrave, Poloni-Shqipëri luhet ditën e martë, datë 26 tetor 2021, në Stadiumin “Tiçi”, duke nisur nga ora 19:45. Hëpërhë, Shqipëria ndodhet në vendin e 4-t në renditjen e grupit, me 4 pikë të marra në 3 takime të luajtura, duke lënë pas Kosovën dhe Armeninë.
Në vendin e parë të Grupit F ndodhet hëpërhë Norvegjia, me 6 pikë në dy ndeshje, e ndjekur nga Belgjika dhe Polonia, me nga 4 pikë secila, po aq sa edhe ka edhe Shqipëria.