AlbanianSport.com 24/10/2021 20:55
ASNN – Luhen 4 takimet e para, dy ndeshje i fitojnë ekipet e Shqipërisë, dy të Kosovës. Veprimtaria e përbashkët e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga Unike, ka përmbyllur të dielën ndeshjet e javës së parë të saj, që është në fakt sezoni i dytë, por i pari i plotë, teksa ai i shkuari u zhvillua me një formulë më të reduktuar.
Dhe, pasi Tirana Neptun ka korrur fitore të shtunën ndaj Rahovecit me rezultatin 79-74, në ndeshjen e parë të edicionit të ri që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport, të dielën janë luajtur 3 takimet e tjera dhe “Golden Eagle” Ylli ka arritur fitore ndaj Vllaznisë në Shkodër, duke triumfuar me shifrat 79-67. Fillimi i ndeshjes së sjellë për sportdashësit gjithashtu drejtpërdrejt nga RTSH sport, ishte i barazpeshuar dhe në 10-minutëshin e parë u zhvillua lojë e barabartë, por Vllaznua e mbylli atë me dy pikë epërsi, 19-17.
Një lojë e ngjashme u zhvillua edhe në të dytin, ku shkodranët bënë një paraqitje më të mirë, duke e fituar atë 23:20 dhe duke shkuar në pushim me rezultatin e përgjithshëm 42-37. Por, kampionia në fuq e Ligës Unike dhe fituesja e Superkupës Mbarëkombëtare rikthehet fuqishëm në gjysmën e dytë, dhe e fitojnë 10-minutëshin e 3-të, 17-9 dhe pas 30 minutash, shifrat ishin përmbysur, 54-51 në favor të miqve.
Në 10 minutat e fundit, Ylli e thelloi edhe më tepër epërsinë, duke e kontrolluar lojën deri në fund për të triumfuar me shifrat 79-67. Ndërkaq, edhe Peja e ka nisur me fitore, teksa ka fitore në Durrës ndaj Teutës vendase, me shifrat 82-73. Fitore në fushë të huaj ka korrur edhe Kamza Basket, që ka mundur Prizrenin 16 me shifrat 96-91.