AlbanianSport.com 24/10/2021 20:10
ASNN – Reali fiton 2-1 në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, Liverpuli shpartallon Mançester Junajtid. E diela evropiane ka qenë e zjarrtë, sidomos në Spanjë dhe në Angli, atje ku janë luajtur dy përballje gjigandësh. Kështu, Reali i Madridit ka triumfuar 2-1 në “El Klasiko”-n spanjolle kundër Barcelonës dhe mbetet në krye të renditjes së La Ligës spanjolle. Në “Kamp Nou” lojë ka nisur me ritme të ngadalta dhe rastin më të mirë e kanë katalanët në minutën e 25-të, por Dest shpërdoron në mënyrë të pabesueshme.
Në anën tjetër, Reali nuk fal dhe zhbllokon rezultatin në minutën e 32-të me Alabën, i cili gjen diagonalen perfekte për të finalizuar kundërsulmin e nisur nga një top i humbur nga Depaj. Kjo epërsi minimale e madrilenëve do të mbetet në fuqi deri në minutën e 3-të shtesë, kur Lukas Vaskez konkretizon me sukses një aksion të mbështetur nga Asensio. Katalanasit nuk dorëzohen dhe arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 97-të me Agueron, në golin e tij të parë me fanellën e re.
Por kjo shërben vetëm si statistikë, pasi Reali ngjitet në kuotën e 20 pikëve, në vendin e parë, ndërsa Barcelona mbetet në 15 dhe humbet terren. Ndërkaq, ka ardhur një humbje shkatërruese për Mançester Junajrid në “Olld Trafford” kundër Liverpulit, duke u mundur me shifrat 0-5. E ardhmja e trajnerit Solskjaer në stolin e “Djajve të kuq” duket gjithnjë e më shumë në dyshim, ndërsa Liverpuli e ka mbizotëruar ndeshjen.
Duke korrur kështu fitoren e 6-të në 9 ndeshje në Premier Ligën Angleze dhe është rikthyer në vendin e dytë në renditje, me 21 pikë, një më pak se Çellsi kryesues. Për Mançester Junajtid, kjo është humbja e 3-të në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe mbetet i 7-ti në renditje me 14 pikë. Janë dy gola të shënuar në 13 minutat e para dhe më pas një 3-golësh nga Mohamed Salah vulosin triumfin e skuadrës së trajnerit Jurgen Klop.