AlbanianSport.com 11.12.2014 18:00
ASNN – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka dalë me një deklaratë për shtyp, me një qëndrim shumë të prerë ndaj situatës se krijuar javën e fundit, me 3 raste e dopingut në sportin e peshëngritjes, sidomos kur bëhet fjalë për 3 peshëngritës, fitues të medaljeve botërore dhe evropiane. “Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkon me urgjencë një informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen në fjalë, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar”, – thuhet në deklaratën e organizmit që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare.
“Duke patur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti, – vijon më tej KOKSH-i. -Dhe sqarojmë se këtë propozim e bëjmë nisur dhe nga praktikat dhe eksperiencat e shteteve të tjera për çështjet e dopingut.”
“Mendojmë se Komisioni Antidoping të funksionojë pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi ky organizëm është i pavarur dhe si i tillë funksionon në shumë vende të botës I atashuar pranë Komitetit Olimpik, – thekson më tej deklarata. – U bëjmë thirrje të gjithë sportistëve që të bëjnë një sport të pastër dhe të shëndetshëm. Nxisim Federatat sportive të zhvillojnë programe edukative dhe fushata sensibilizimi në luftën kundër dopingut dhe promovimit të sportit të shëndetshëm dhe të pastër.”
“Institucionet sportive duhet të bashkëpunojnë më shumë në krijimin e një sistemi kontrolli dhe të pavarur në mënyrë që fenomeni i dopingut në sportin shqiptar të mos jetë kulturë e përfaqësimit të sportit dhe për vendin tonë imazhi i keq dhe i njollosjes nga dopingu. Sot të gjithë duhet të dinë që Dopingu është në luftë të hapur me etikën, vlerat dhe moralin e sportit”, – përfundon deklarata për shtyp e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.