AlbanianSport.com 21/10/2021 19:25
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra ka mbyllur të enjten përgatitjet për ndeshjen e dytë eliminatore ndaj Andorrës, me të cilën do të luajë ditën e premte. Kjo sfidë, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar të Andorrës, “Estadi Nacional”, duke nisur nga ora 12:00.
Ekipi shqiptar ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore përpara këtij takimi për më shumë se 55 minuta, me trajnerin Krepi që ka pasur mundësi të shohë skuadrën dhe gjendjen e vajzave dhe ku përqëndrimi kryesor i kreut të stolit kuqezi ka qenë tek ana teknike si dhe ushtrimet taktike e goditjet standarde. Atmosfera në kampin kuqezi duket pozitive.
Dhe fokusi kryesor i Kombëtares së Nën-19-vjeçareve është marrja e 3 pikëve ndaj Andorrës, me të cilën shortin e ka vendpsur në grupin 3 të Ligës B, së bashku me Uellsin dhe Moldavinë. Kjo është ndeshja e dytë e Kombëtares së Nën-19-vjeçareve. Para dy ditësh, ekipi shqiptar barazoi 0-0 me Moldavinë, ndërsa ndeshjen e 3-të dhe të fundit në grup do ta zhvillojë ditën e hënë ndaj Uellsit, më 25 tetor 2021.
Aktualisht, Shqipëria renditet e dyta në grupin B me 1 pikë, aq sa Moldavia, ndërsa Uellsi renditet i pari me 3 pikë të plotë, pasi mundi Andorrën, që është e fundit në renditje, me 0 pikë.