AlbanianSport.com 21/10/2021 16:25
ASNN – Vajzat kuqezi kërkojnë fitoren e parë, takimi vjen drejtpërdrejt në RTSH Sport (17:00). Kombëtarja shqiptare e të rriturave në futboll për femra do të luajë sot pasdite ndeshjen e 3-të në kuadër të Botërorit të 2023-shit, kur të zbresë në fushën e blertë të Stadiumit “Arena Kombëtare”, për t’u ndeshur me Armeninë.
Ndeshja, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 17:00, i gjen vajzat kuqezi të mbajnë vendin e parafundit të renditjes, me një pikë të vetme të marrë në këto dy ndeshjet e para.
Kombëtarja kuqezi e vajzave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, është ndalur në një barazim 1-1 përballë Kosovës, në ndeshjen e parë të luajtur në mesin e shtatorit në “Elbasan Arena”, duke vijuar, pak ditë më pas, të mundet thellë, 0-7, në fushë të huaj përballë Belgjikës.
Megjithatë Shqipëria shpreson të gjejë fitoren e parë sot përballë Armenisë, që i ka humbur dy ndeshjet e para, për më tepër, duke pësuar plot 11 gola pa arritur të shënojë asnjë, dhe që mban vendin e fundit.