AlbanianSport.com 19/10/2021 22:10
ASNN – Vajzat e Kombëtares kuqezi të futbollit për femra, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, kanë nisur grumbullimin në kampin e tyre stërvitor në Durrës, ku po përgatiten për dy sfidat e rëndësishme në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”. Portierja Viona Rexhepi shprehet optimiste për gjendjen e grupi, teksa pohon se ndaj Armenisë dhe Polonisë luhen dy sfida mjaft të vështira.
Sidoqoftë, Rexhepi ka besim se Shqipëria do të luajë për të marrë rezultate pozitive në të dyja takimet. “Ndihem mjaft mirë në këtë grumbullim, grupi është i kompletuar dhe besoj që me këtë grup futbollistesh mund të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes në këto dy ndeshje, – ka thënë ajo. – Besoj që ndaj Armenisë luajmë për të fituar, por edhe me Poloninë synojmë të marrim një rezultat pozitiv. Këto janë dy ndeshje shumë të vështira, por besoj se mund t’i kalojmë me sukses.”
“Shorti na ka vënë në një grup mjaft të fortë e megjithatë do të mundohemi të arrijmë sa më lart, – ka vijuar gardiania e portës kuqezi. – Synojmë që në të ardhmen të arrijmë në fazën finale të një Botërorit ose Evropiani.” Sfida e parë e Shqipërisë ndaj Armenisë do të luhet në shtëpi më 21 tetor në Stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 17:00. Ndeshja e dytë është në fushë të huaj ndaj Polonisë, më 26 tetor, ora 19:45 në Stadiumin “Tiçi”.
Deri më tani Kombëtarja e femrave ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, pasi u mund thellë, 0-7 nga Belgjika në fushën e kësaj të fundit dhe barazoi 1-1 me Kosovën në shtëpi. Shorti e ka vendosur Shqipërinë e topkëmbës së vajzave në Grupin F të Eliminatoreve të këtij Botërori, së bashku me Poloninë, Kosovën, Norvegjinë, Belgjikën dhe Armeninë.