AlbanianSport.com 19/10/2021 20:40
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve për femra ka barazuar me rezultatin e bardhë 0-0 ndeshjen e parë me Moldavinë, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit. Skuadra e drejtuar nga Kreshnik Krepi, i cili pati edhe ndeshjen e parë me ekipin shqiptar të martën, zhvilloi një ndeshje të mirë, duke qenë në disa raste e rrezikshme përpara portës kundërshtare, por nuk arriti të zhbllokojë rezultatin.
Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion, ndërsa u bënë edhe zëvendësimet përkatëse: Hyska (kapitene), Tanushi, Vuksani, Gjergji, Troka, Iliadhi, Mema, Qose (Avullija 68’), Gjata (Cemeri 42’) Armoku (Bilali 75’), Hamonikaj. Kjo ishte ndeshja e parë e vajzave kuqezi, të cilat shorti i ka vënë në të njëjtin grup me Moldavinë, Andorrën dhe Uellsin. Tri ditë më vonë, më 22 tetor 2021, Shqipëria do të luajë kundër vendit pritës, që është Andorra, teksa më 25 tetor 2021 do të luajë ndeshjen e 3-të dhe të fundit në grup ndaj Uellsit.