AlbanianSport.com 17/10/2021 17:40
ASNN – Pas dy ndeshjeve të para, të luajtur të shtunën, të dielën janë në program dy takime të tjera të vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë Superiore dhe, në të parën, të luajtur pasdite, Partizani nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në Stadiumin “Arena Kombëtare” përballë Kukësit. Për të kuqtë ky është barazimi i 4-t radhazi, ndërkohë që janë mundur në javën e parë përballë Teutës.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ndërsa në pjesën e dytë janë të kuqtë që shënojnë të parët. Një sulm nga e majta në minutën e 65-të ka nxjerrë në pozicion goditja Carën, i cili fare pranë portës nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Por epërsia e të kuqve kryeqytetas ka zgjatur vetëm 5 minuta, pasi verilindorët kanë arritur të vendosin barazpeshën me një gol të Feizhaos.
Rastet në minutat e mbetura nuk mungojnë për të dyja skuadrat, por rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Partizani aktualisht është i pozicionuar në vendin e 7-të, në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Kukësi ndodhet në kuotën e 8 pikëve me dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Takimi i dytë i së dielës është ai që nis në ora 19:45 në Durrës, midis Teutës dhe Tiranës.