AlbanianSport.com 16/10/2021 19:25
ASNN – Armando Broja vijon të dhurojë spektakël. Pas grumbullimit me Kombëtaren shqiptare në kuadër të dy ndeshjeve të fundit të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”, ku shënoi edhe një gol ndaj Hungarisë duke i dhënë kuqezinjve 3 pikë, sulmuesi shqiptar ka shënuar të shtunën golin e parë edhe në Premier Ligën angleze me skuadrën e Sauthemptonit.
Broja, i cili është në pronësi të Çellsit, por është huazuar tek “Shënjtorët”, e nisi ndeshjen ndaj Lids Junajtid si titullar, duke u aktivizuar që nga minuta e parë e takimit në Premier Ligë. Sulmuesi shqiptar e kaloi në epërsi skuadrën e tij në minutën e 53-të të takimit, pasi shfrytëzoi më së miri një pasim të Redmondit, i cili dhuron një top të bukur brenda zonës për Brojën, që e shndërron atë në gol.
Ky nuk ishte rasti i parë për Brojën, i cili pati edhe një tjetër rast në pjesën e parë të takimit, duke dhuruar spektakël, pas driblimit të 3 futbollistëve miq, por goditja drejt portës grushtohet nga portieri i Lidsit. Sipas faqeve të specializuara për statistika, Broja u vlerësua me notën 7.7, teksa doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 82-të pasi mbështeti keq këmbën në një dyluftim ajror, duke i lënë vendin Teo Uollkotit.
Armando Broja po kthehet në një pikë kyçe jo vetëm për përfaqësuesen shqiptare por edhe për klubin anglez, pjesë e Premier Ligës Angleze.